Gatuzo: Afrimi i Bekham, i çuditshëm
Mesfushori Xhenaro Gatuzo e ka përkufizuar afrimin e Devid Bekham te Milani si "të çuditshëm". Anglezi do të luajë me kuqezinjtë për afro muaj, në mënyrë që të ruajë formën fizike, pasi në këtë periudhë nuk do të jetë i impenjuar me amerikanët e Los Anxhelos Galaksi. Vetëm në këtë mënyrë, Bekham shpreson që të mbajë vendin në përfaqësuesen e "Tre Luanëve". 33-vjeçari do të prezantohet të shtunën në mbrëmje në stadiumin "San Siro". Por Gatuzo, i cili nuk do të luajë për gjashtë muaj për shkak të operacionit në ligamentet e gjurit, komentoi mbërritjen e ish-mesfushorit të Junajted dhe Real Madrid. Ai është shprehur i çuditur vetëm për huazimin afatshkurtër: "Personalisht më duket një lëvizje e çuditshme. Ndoshta do të ishte më mirë dhe më korrekte që të qëndronte për gjithë vitin dhe të firmoste një kontratë. Por, të shkosh në një skuadër për të luajtur një muaj e gjysmë ose dy muaj, më duket diçka e pazakontë". Trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, deklaroi se Bekham, që zakonisht luan si mesfushor krahu, mund të japë kontribut në plotësimin e boshllëkut të lënë nga Gatuzo. Megjithatë, numri 8 i kuqezinjve nuk është dakord me këtë ide. "Bekham nuk mund të bëhet zëvendësuesi im. E kam të qartë se Milani po studion merkaton. Nuk e di nëse do të bëhet ndonjë blerje, pasi ky vendim i takon klubit", përfundoi ai.