E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kievo mendon "divorcin" nga Erjon Bogdani në janar

Sulmi kuqezi është në krizë totale. Erjon Bogdani është i dëmtuar dhe nuk luan me Kievon. Edmond Kapllani ka humbur kontaktin me golin, pavarësisht se te Karlsruhe i kanë besuar një fanellë titullari. Ndërkohë, qëndrimi i Besart Berishës tek anglezët e Bërnlit, pas përfundimit të huazimit te Rosenborg pritet të zgjasë më pak nga sa mendohej. I vetmi sulmues i Kombëtares shqiptare që ka bërë diçka pozitive në këtë sezon është Hamdi Salihi: së fundmi shkodrani nuk ka luajtur rregullisht për shkak dëmtimi, por deri më tani ka shënuar pesë gola me austriakët e Ried (4 në kampionat dhe 1 në Kupë). Me paraqitjet e mira, 24-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e turqve të Bursaspor.

Bogdani

Kievo e sheh veten në vendin e fundit në klasifikimin e Serisë A dhe drejtuesit e skuadrës italiane po mendojnë të përforcojnë kontingjentin në merkaton e janarit. "Revolucioni" pritet të fillojë nga reparti sulmues, që me nëntë gola të shënuar në 16 ndeshje është më i dobëti i kampionatit. Pas talentit të Interit, Mario Baloteli, tashmë veronezët janë vënë në ndjekje të Bonacolit (Sampdoria) dhe Larriveit (Kaljari). Sipas së përditshmes "L‘Arena": "Për Bogdanin janë interesuar disa klube jashtë Italisë, por asnjëra prej tyre nuk ka kontaktuar klubin për të filluar zyrtarisht bisedimet. Merkato e Kievos rrotullohet te sulmuesi shqiptar". Me fjalë të tjera, vetëm në rast të largimit të "Er-Bomber", skuadra do të "lehtësonte" kontingjentin dhe mund të hyjë seriozisht në merkato. Gjithsesi, duket e vështirë që 31-vjeçari kuqezi të largohet në ndonjë skuadër të dorës së dytë. Bogdani vazhdon të jetë i dëmtuar dhe nuk do të luajë as në ndeshjen kundër Bolonjës.

Berisha

Karriera e kosovarit që luan si sulmues krahu në Kombëtare duket se do të vazhdojë larg Bërnlit. Edhe pse është kthyer vetëm prej pak ditësh në klubin e Çempionshipit, Besart Berisha duhet të bëjë sërish valixhet gati. Skuadra ka një ecuri të mirë dhe me vendin e katërt në Ligën e dytë angleze pretendon të luftojë deri në fund për t‘u ngjitur mes më të mirave në Angli, në Premiership. Në analizën e tij në takimin e përvitshëm të klubit, trajneri Ouen Koil deklaroi se disa futbollistë do të shiten, në mënyrë që klubi të sigurojë para për t‘u përforcuar me lojtarë cilësorë. Edhe pse drejtuesi i stolit nuk përmendi emra, burime pranë Bërnlit theksuan se njëri prej atyre që do të largohen është edhe Berisha. Kuqeziu nuk rezultoi blerja e bujshme që klubi pretendonte dhe në pjesën e mbetur të sezonit nuk do të ketë hapësira në formacionin titullar. "Në futboll, situatat ndryshojnë shumë shpejt. Nuk dua të fajësoj blerjet e mëparshme, por në merkaton e janarit do të ketë disa largime, për të balancuar skuadrën. Nuk dëshiroj të përmend emra konkretë, kjo nuk do ishte e drejtë, por 2-3 lojtarë do të ikin".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›