E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsenali, "tërmeti" trondit klubin

Qielli mbi "Emirates Stadium" duket i vrenjtur. Jo sepse në Londër ndodh shpesh që të jetë kështu, por pasi kanë dalë në qarkullim zëra për një blerje të mundshme menjëherë pas konfirmimit të lamtumirës së dy anëtarëve të këshillit administrativ të Arsenalit.

Stres dhe ndarje

Ata që ia kanë "mbathur" së bashku me 20% të aksioneve janë Nina Braceuell-Smith (që zotëron 15.9% të paketës së klubit) dhe Riçard Kerr (që ka një kuotë prej 4.4%). Mund të thuhet se është larguar një pjesë e rëndësishme e historisë së "Topçinjve", pasi familja e së parës ka qenë e lidhur me klubin londinez për më shumë se 50 vite dhe se i dyti ishte drejtor prej 27 vjetësh. Sipas "Daily Telegraph", dalja nga skena e Kerr ka qenë miqësore, e stimuluar vetëm nga streset. Megjithatë, mësohet se drejtuesi do të mbetet pjesë e këshillit. Ndërsa është krejt i ndryshëm rasti i Braceuell-Smith: për të flitet për një prishje raportesh me anëtarët e tjerë dhe largimi i saj do të ketë një efekt të menjëhershëm. "Zonja Nina nuk është më një përfaqësuese e klubit, ka shpjeguar presidenti i Arsenalit, Peter Hill, dhe nuk e di se çfarë do të bëjë me aksionet e saj. Familja Braceuell-Smith, për shumë vite, ka qenë e përfshirë në jetën e "Topçinjve" dhe Ladi Nina ka qenë gjithnjë një mbështetëse e strategjive të klubit tonë si në anën financiare ashtu edhe në atë të ideve të menaxhimit. Për këtë arsye, shpresojmë që ajo të mbetet një aksionere, por gjithsesi është e lirë të bëjë atë që ndjen".

Usmanov
Sikurse kujton edhe "The Sun", manjati uzbek, Alisher Usmanov, zotëron tashmë 24% të aksioneve të Arsenalit dhe, në rast se do të arrinte kotën e 30% (nëse do të blinte gjysmën e aksioneve të Braceuell-Smith), mund të hedhë edhe kërkesën për "blerje" brenda të të gjitha rregullave. "Po e monitorojmë situatën me një interes të madh", bëri të ditur zëdhënësi i ‘Red and Ëhite Holdings‘ të Usmanovit. Tetorin e kaluar, zonja Nina kishte përgënjeshtruar lajmin se dëshironte të shiste aksionet e saj, por thashethemet e shumta në këshillin administrativ, të cilat arritën kulmin me largimin e saj, mund të kenë ndryshuar idenë e saj dhe tashmë rreziku që Arsenali të përfundojë në duar krejtësisht të huaja, duket edhe më i mundshëm.

Kielini

Gjithsesi, trajnerit Arsen Venger nuk i takon të mendojë për rrezikun, por për përforcimin e skuadrës. Ai ka identifikuar Kielinin si një nga blerjet e mundshme, Lajmin e bëri të ditur dje "Daily Telegraph". Për të përditshmen angleze, trajneri i "Topçinjve", Venger, kërkon zëvendësin e Uilliam Galas, tashmë në prag të largimit. Megjithatë duket se largimi i tij nga skuadra e Juventusit do të jetë shumë i vështirë. Kjo sepse trajneri Ranieri e shikon mbrojtësin si një nga pikat më të forta të repartit difensiv, dhe për këtë arsye nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ai, të paktën edhe për disa sezone.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›