E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajnerët shqiptarë mund të punojnë edhe në Evropë

Trajnerët shqiptarë që kanë përfunduar kurset e UEFA-s për licenca, tashmë mund të punojnë në çdo shtet të "Kontinentit të Vjetër". Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka hapur dritën jeshile për pranimin e licencës "UEFA A" të Shqipërisë. Kursi i parë i këtij lloji është zhvilluar në verën që sapo lamë pas, ndërkohë që në të ardhmen, asnjë trajner i cili është i pa pajisur me këtë licencë nuk do të mund të drejtojë në Kategorisë Superiore. Përveç vendit tonë, janë njohur edhe "UEFA B" për Malin e Zi, "UEFA A" për Gjeorgjinë dhe "UEFA Pro" (niveli më i lartë) për Turqinë. "Tashmë, të 53 federatat anëtare janë pjesë e Konventës së UEFA-s rreth njohjes së përbashkët për kualifikimin e trajnerëve", theksoi "qeveria" evropiane e futbollit. Por, trajnerët shqiptarë që kanë licencën "UEFA A" mund të drejtojnë vetëm skuadra të niveleve të dyta jashtë vendit, ndërsa ata që kanë "UEFA B" mund të punojnë me ekipet e moshave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›