E Diel, 1 Nëntor 2026

Serxho Aguero, i Realit për 60 milionë euro

Vetëm 24 orë pas lajmit se Reali i Madridit kishte gjetur marrëveshjen me Mançester Junajted për blerjen e Kristiano Ronaldos në verën e vitit 2009, në spekulimet më të fundit pretendohet se "merengues" arritën të marrin talentin argjentinas, Serxho Aguero. Të mërkurën, gazeta "El Mundo Deportivo", publikoi historinë sesi Pedro Tapotes, një mik i afërt i presidentit madrilen, Ramon Kalderon, deklaroi pa dashje se drejtuesit në "Santiago Bernabeu" kishin siguruar afrimin e mesfushorit portugez, që vetëm pak ditë më parë fitoi "Topin e Artë". Tashmë, është "elconfidencial.com" që flet për një tjetër afrim të bujshëm, duke pretenduar se në sezonin e ardhshëm, kontingjentit të trajnerit Huande Ramos do t‘i shtohet edhe sulmuesi i Atletikos së Madridit, Sergio Aguero. Në editorialin me titullin "Matador", Havier Gomez Matalanas shkruante se Kalderon ka gjetur marrëveshjen me drejtuesit e Atletikos për të blerë "El Kun", duke paguar 60 milionë euro që parashikohen në klauzolën për prishjen e kontratës së lojtarit. Zërat bazohen në një takim të zhvilluar gjatë verës së kaluar, ku drejtori ekzekutiv i Realit, Hoze Angel Sançez, u takua me menaxherin e përgjithshëm të klubit të dytë madrilen, Migel Angel Gil Marin. Në atë periudhë, Marin e refuzoi shitjen e yllit argjentinas pavarësisht ofertave milionere, por sipas burimeve pranë numrit 1 në "Bernabeu", saktësojnë se situata tashmë ka ndryshuar. Gjithsesi, në të kaluarën, Aguero ka deklaruar se nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e rivalëve të qytetit dhe ka siguruar tifozët e Atletikos se do të largohej nga klubi vetëm në "perëndim" të karrierës, për të luajtur në vendlindje. Por, nëse në rastin e Kristiano Ronaldos zërat janë hedhur poshtë në mënyrë kategorike, klubet spanjolle ende nuk kanë bërë asnjë reagim zyrtar.

Duke qëndruar në temën e merkatos, trajneri i përfaqësueses angleze, Fabio Kapelo, ka përgëzuar drejtuesit e Realit të Madridit për blerjen e mesfushorit Lasana Diarra. Tekniku italian mendon se lojtari i Portsmuthit është më i mirë sesa Klod Makelele, që ka mbuluar pozicionin e "shkatërruesit" në të kaluarën. I të njëjtit mendim është edhe ylli i Arsenalit, Çesk Fabregas. "Diarra është i mirë, shumë i mirë dhe për mendimin tim ai qëndron më lart se Makelele", shpjegoi Kapelo. "Përveç forcës fizike ai është i kompletuar teknikisht dhe është i saktë në pasimet e gjata".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›