E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gatuzo: “Kaka është flamuri i Milanit”



Rino Gatuzo, mesfushori karizmatik i Milanit, dha komentin e tij pas përfundimit pa sukses të tratativave midis Mançester Sitit e brazilianit Riki Kaka. “Kaka është një flamur”, - tha futbollisti i Kombëtares italiane, - “dhe e ka menduar shumë mirë që nuk u largua. E duan të gjithë. Ndodhet në një skuadër që i dha mundësinë të fitonte ‘Topin e artë’. Edhe unë vitin e kaluar mendova se eksperienca ime me Milanin ndoshta kishte përfunduar për të kaluar më pas te Bajerni. Por, më pas sqaruam gjithçka me klubin”. Gatuzo foli edhe për Devid Bekamin, duke mos i kursyer elozhet. “Më befasoi pozitivisht”, - pranoi Gatuzo, - “është një profesionist i madh, mbërrin 2-3 orë përpara stërvitjes. Nuk është Kaka, por është një futbollist i madh. Luan në vendin tim, pasi unë jam i dëmtuar, por jemi komplet ndryshe. Sigurisht që jep më shumë asist se sa unë, por unë rikuperoj më shumë topa”.

SAKI
Ish-trajneri i Milanit, Arrigo Saki, pohoi se tani është radha e Milanit të bëjë një skuadër për Kakanë, pas refuzimit të këtij të fundit të megaofertës së Mançester Sitit. “Milani këtë vit mund të fitojë kampionatin për shkak të mospjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, por për të ardhmen duhet të minimizojë kostot dhe të rinovojë skuadrën. Galiani është një magjistar dhe Ançeloti një trajner i madh. Mund të besojnë akoma te lojtarët më të mëdhenj në botë. Dhe atëherë mund të ndërtojmë një formacion që unë ta ushqej dhe ta mbështesin edhe tifozët, do të shohin një skuadër ëndrrash. Tani që Kaka qëndroi, Milani mund të pushtojë Europën dhe botën”, - tha Saki për “Gazzetta dello Sport”.
Mesfushori brazilian i Milanit, Emerson, i cili mbërriti te kuqezinjtë nga Reali i Madridit, pohoi se Kaka mund të bashkohet me “Los Blancos” në një të ardhme të afërt. “Puma” citohet nga faqja prestigjioze sportive goal.com.

22 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›