E Shtunë, 31 Tetor 2026

K. Ronaldo: "Jam një shofer i zoti”



Kristiano Ronaldo nuk mungon kurrë të dëshmojë publikisht besnikërinë e tij ndaj Mançester Junaitid, edhe pse nga Spanja arrijnë zëra gjithmonë e më të shumtë që e lidhin të ardhmen e tij me Realin e Madridit, kur po flitet për një rikthim të ish-presidentit Florentino Perez në vend të dorëhequrit Ramon Kalderon. Perez, duke folur për gazetën britanike “Daily Mail”, tha se përveç numrit 7 të “Djajve të kuq” dëshironte edhe Arsen Vengerin si trajner, ky i fundit mund të sillte në Madrid edhe një xhevahir si Sesk Fabregas. Por Kristiano Ronaldo thotë për gazetën “Sun”: “Ndihem shumë i lumtur te Junaitid, pasi atje ndihem si në shtëpi dhe më duan të gjithë. Fergusoni më ka mbështetur gjithmonë dhe unë ndihem pjesë e grupit dhe besoj së është një moment i karrierës që do ta kujtoj gjithmonë”.
PILOT I ZOTI
I bukur, por jo simpatik. I adhuruar nga gratë, por i urryer nga tifozët anglezë. Ky është përfundimi i një sondazhi i kryer kohët e fundit. Kristiano Ronaldo rezultoi si lojtari më antipatik i Premier Ligës angleze. E megjithatë, portugezi fitues i shumë çmimeve është sigurisht njeriu që vazhdon të qeshë edhe pse shakatë e shokëve janë shpesh therëse. Një ditë pas aksidentit të famshëm me Ferrarin e tij, sulmuesi u paraqit në stërvitjen e Mançester Junaitid me një veturë më të “thjeshtë”, që e kishte marrë nga garazhi i tij, një “Bentley” me një vlerë prej 150 mijë eurosh, ndërkohë që lojtarët e “djajve të kuq” kishin parkuar një makinë lodër “Ferrari” me pedale ku ishte vendosur edhe një targë e pangatërrueshme dhe e personalizuar me kodin “CR7”. Ronaldo qeshi me gjithë zemër me këtë shaka dhe e vendosi lodrën në makinën e tij “Bentley”, duke komentuar se mezi priste sa të vinte ora për të luajtur me “Ferrarin” lodër. Madje, sipas zërave që qarkullojnë, trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Ferguson, i kërkoi shtëpisë prodhuese të lodrës të montonte edhe një numër air-bagesh në makinë. “Mendoj se jam një shofer i zoti, pasi askush nuk mund të ecë me 300 km në orë në orën tetë të mëngjesit. Ishte thjesht një aksident, pasi kishte vaj në rrugë dhe pak akull, por janë aksidente që mund t’i ndodhin gjithkujt”, - tha fituesi i “Topit të artë” dhe “Lojtari më i mirë në botë FIFA”.

22 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›