Gaxhai e djali i xhaxhait, "kurth" me dyqanin e luleve

07/05/2005 Rreth tre muaj më parë, Gaxhai tentoi të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë 302, nëpërmjet djalit të xhaxhait, ky i fundit shitës lulesh në dyqanin përballë. Emanuela Braka, bashkëshortja e Gazmend Brakës, tregoi për gazetën, 4 shkurtin, ditën e zbulimit të tunelit të nëndheshëm në Burgun 302, kur ajo ishte në takim me të shoqin. Ajo pohoi se rreth orës 08.30-09.00 ishte futur në dhomë me të shoqin dhe kishin qenë së bashku. Gaxhai është shprehur se nuk ka lidhje me këtë akt, pavarësisht se gjithmonë ka deklaruar që do të tentojë të arratiset nga burgu, pasi për këtë gjë mendon dhe se është policia ajo që duhet ta ruaj. Më pas, Gaxhai, nëpërmjet avokatit të tij, Mark Pëllumbi, pretendoi se nuk e njihte njeriun me emrin Agim Leka, i cili u përfol fillimisht si pronari i dyqanit të luleve. Gaxhai është shprehur se emri i tij i lakuar kaq shumë kohët e fundit, lidhet me faktin se ka tentuar edhe dy herë të tjera për t'u arratisur, por ka dështuar. Avokati Pëllumbi, që mbron interesat e Gazmend Brakës, ka hedhur poshtë pretendimet e policisë, që midis tij dhe personave që projektuan kanalin, ka lidhje. Dy gardianë të Burgut 302 në Tiranë dhe një nga shoferët e këtij institucioni, janë marrë në pyetje lidhur me tunelin e hapur në afërsi të Burgut të Sigurisë së Lartë, me qëllim arratisjen e të dënuarve përjetë. Burime të policisë së kryeqytetit, thanë se, sipas verifikimeve që janë kryer në funksion të hetimeve, mendohet se disa herë gardianët e burgut janë parë duke pirë kafe me personin që kishte marrë me qira dyqanin. Hyrja e tunelit nga aneksi i dyqanit të luleve pranë Burgut të Sigurisë së Lartë 302, në Tiranë, i ngjan burimit të një drite të zezë, një kalimi aspak të dëshirueshëm. Në brigjet e gropës bien në sy pjesa e sipërme e dy dërrasave, 5 centimetër të trasha. Në fund u zbulua se bashkëpunëtori i Gazmed Brakës ishte djali i tij i xhaxhait, që u prangos më pas.