Gaxhaj: Luftëtari, fitore bindëse me Gramozin
Futbollisti gjirokastrit, Bashkim Gaxhaj, thekson se ekipi ka nxjerrë konkluzionet e duhura nga humbja e fundit në transfertë
Dihet që vullkanet kanë shpërthimet, gulçimet dhe gufosjet e tyre. Po kështu ndodh edhe me ekipet e futbollit. Luftëtari deri tani ka 8 shpërhtime, 1 gulçim dhe 2 gufosje, e fundit në Gramsh. Tani pritet që ky ekip të rikthehet te shpërthimet, tek pret Gramozin dhe mundësitë janë që të bëhet, madje një shpërthim i madh të shtunën. Por sot ai ndeshet në Korçë me Skënderbeun, në kuadrin e Kupës së Shqipërisë.
Ashtu sikundër është deklaruar nga stafi i tij, ekipi gjirokastrit në këtë kompeticion lufton me një formacion të konsideruar të dytë, pasi parësor është kampionati. Në Gjirokastër një javë më parë bëri fitore të bujshme ndaj të rinjve të Skënderbeut, ndaj dhe korçarët, jo vetëm për pikë, por edhe për prestigj, do të kërkojnë hakmarrje, ndaj dhe nuk do të paraqiten me formacionin që dërguan në Gjirokastër.
Sidoqoftë, gjirokastritët vëmendjen e kanë te ndeshja me Gramozin, sepse janë të ndërgjegjshëm se nuk mund të pinë verë me Kupën e Shqipërisë, gjë që nuk e kanë bërë edhe kur Luftëtari ishte me këmborë.
Gaxhaj Mesfushori gjirokastrit Bashkim Gaxhaj, i cili tani më shumë luan si mbrojtës, shprehet: Humbja që pësuam në Gramsh nuk na e hoqi vendin e parë, por tani Besëlidhja ndodhet 2 pikë më poshtë, ndërkohë që janë afruar edhe rivalë të tjerë. Humbja erdhi si rezultat i fushës, që është jashtë parametrave, gjykimit, që anonte nga vendësit, por edhe faktit që Luftëtari, sipas mendimit tim, zhvilloi lojën më të dobët deri tani.
Ajo që ka shumë rëndësi është që të rigrumbullojmë forcat, duke nxjerrë konkluzionet përkatëse nga kjo humbje dhe të arrijmë të fitojmë domosdo me Gramozin, të cilin e presim të shtunën. Pavarësisht nga rezultatet e tij dhe pozicionin në renditje, duhet të përgatitemi të luajmë me seriozitetin më të plotë, sepse fitorja merret me lojë, veçanërisht nga ekipet kryesuese, që nuk mëshirohen nga gjyqtarët në përgjithësi. Shpresoj shumë se do të korrim një fitore të pastër e bindëse, duke treguar se jemi gjithmonë pretendentë për superligën.
6 fitore
ka ekipi gjirokastrit në fushën e tij, ku ka marrë maksimumin e pikëve deri tani. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në fundjavë me Gramozin
14 gola
kanë shënuar gjirokastritët në fushën e tyre nga 18 në total. Ky tregues tregon qartë agresivitetin e sulmit të Luftëtarit në shtëpi
