E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaza, AI akuzon Izraelin për krime lufte

"Amnesty International" botoi sot një raport dërrmues ndaj ofensivës izraelite në Gaza të drejtuar në dhjetor-janar, duke akuzuar njëkohësisht Izraelin dhe Hamasin se kanë "shkelur ligjet humanitare ndërkombëtare", duke sulmuar civilë. Raporti i titulluar "Operacioni 'plumbi i derdhur': 22 ditë, të vdekur dhe shkatërrim në Gaza" është një aktakuzë e vërtetë kundër Izraelit dhe ushtrisë së tij, duke konfirmuar bilancin (e shërbimeve shëndetësore palestineze) me më shumë se 1400 palestinezë të vrarë dhe afro 5 000 të plagosur dhe fakti që sektorë të gjerë të Rripit të Gazës janë shkatërruar, me më shumë se 2 700 ndërtesa të shkatërruara.
Organizata e mbrojtjes së të drejtave të Njeriut, me qendër në Londër, i kërkon komunitetit ndërkombëtar "të mbështesë pa rezerva misionin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së ngarkuar me hetimin e operacionit, mision që Izraeli e bojkoton. Në këtë raport me 117 faqe, që përbën një studim të thelluar të kësaj lufte, "Amnesty" e rinovon apelin e saj ndaj një embargoje "totale dhe imediate" mbi armët me destinacion si të Izraelit edhe të islamikëve të Hamasit që kontrollojnë Gazën.
"Amnesty International" u kërkon shteteve kudo në botë të angazhohen në ndjekjet juridike për "krime lufte" dhe për "ndalimin e autorëve të tyre të dyshuar". Organizata akuzon ushtrinë izraelite që nuk ka "bërë dallimin mes shënjestrave civile dhe ushtarake, ndërkohë që nuk mund ta shpërfillte praninë e civilëve në sektorët e venë në shënjestër duke sjellë si rezultat vdekjen e qindra civilëve të çarmatosur dhe të 300 fëmijëve, 115 grave dhe 85 pleqve më shumë se 50 vjeç". Ajo akuzon, ndër të tjera ushtrinë izraelite se ka shfrytëzuar civilët, përfshi edhe fëmijë si "mburoja njerëzore" duke i detyruar të qëndronin në afërsi të pozicioneve që ajo pushtonte e madje duke i detyruar të ekzaminonin objekte të dyshimta që rrezikonin të ishin kurthe. Ajo mohon në të kundërt se Hamasi apo grupe të tjera të armatosura palestineze të kenë shfrytëzuar popullsinë si "mburojë njerëzore" përkundër pohimeve izraelite. Ajo i akuzon megjithatë se kanë instaluar "pozicione ushtarake pranë banimeve, duke rrezikuar kështu jetën e civilëve".
Ajo e akuzon ushtrinë izraelite se ka vrarë qindra civilë, jo vetëm me armë të precizionit të lartë si raketa ajër-tokë dhe bomba me telekomandë, por edhe me të shtëna artilerie dhe bomba thërrmuese.
Ministria deklaroi se Izraeli nuk i kishte sulmuar qëllimisht shënjestrat civile dhe se të gjitha "armët e përdorura ishin konform me të drejtën ndërkombëtare të përdorimit të armëve nga ushtritë perëndimore".
"Amnesty International" i hedh poshtë këto akuza duke nënvizuar se deri tani autoritetet izraelite "nuk kanë bërë një hetim të pavarur dhe të paanshëm lidhur me sjelljen e forcave të tyre", me ushtrinë që është mjaftuar me hetime të brendshme mbi gabimet e kryera, për të përfunduatr se nuk kishin qenë kurrë të qëllimshme.
"Amnesty" thekson gjithashtu se Hamasi dhe grupet e armatosura palestineze kanë lëshuar me qindra raketa në territorin izraelit, që kanë shkaktuar tre të vdekur civilë, ndërsa gjashtë ushtarakë u vranë gjatë operacionit, dhe shkaktuan një eksod prej qindra mijëra banorësh në jug të Izraelit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›