Gazë, Izraeli rifillon sulmet

Izraeli ka rifilluar bombardimet mbi Rripin e Gazës pas përfundimit të armëpushimit tre orësh, që nisi në orën 13:00 sipas kohës lokale në Lindjen e Mesme. Me një saktësi kronometrike, pas skadimit të armëpushimit rifilluan luftimet në qytetin e Gazës. Teksa edhe Hamasi kishte deklaruar se nuk do të vazhdonte hedhjen e raketave në territorin izraelit gjatë këtij mini-armëpushimi. Por edhe ata nisën hedhjen e raketave në zonat e Bershevas dhe Netivotit në Izrael. Ndërkohë që asnjë hap pozitiv nuk është shënuar mbi marrëveshjen e paqes së formuluar nga Presidenti egjiptian Hosni Mubarak dhe homologu i tij francez Nikolas Sarkozi, që iu ofronte izraelitëve dhe palestinezëve një plan trepikësh për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Burime politike nga Jeruzalemi kanë deklaruar se janë të parakohshme përpjekjet për një plan paqeje. Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi ishte shprehur shumë i kënaqur për pranimin e planit të paqes nga ana e Izraelit dhe autoriteteve palestineze të planit franko-egjiptian. Por qeveria izraelite ka ngrirë entuziazmin e Sarkozisë. Izraeli ka lajmëruar se bisedimet me egjiptianët po vazhdojnë.