Greqi, ndryshime në qeverinë e Karamanlis-it
Kryeministri grek Kostas Karamanlis rikonfiguron kabinetin e tij qeveritar, duke ndryshuar gati gjysmën e ministrave. Sipas mediave greke, ndër zyrtarët e shkarkuar janë ministri i Ekonomisë e Financave Jorgos Alogoksufis, ministri i Transportit Mihalis Lapis, ministri i Bujqësisë Aleksandros Kondos si dhe Panajotis Hinofotis, ministra këta që në të kaluarën janë përfshirë në skandale të ndryshme. Ndërkohë që ata ministra që vazhdojnë të kenë një reputacion të mirë përpara opinionit publik do të vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisë së Karamanlisit. Shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis, ministri i Mbrojtjes Evangelos Maimarakis, ai i Punëve të Brendshme Prokopis Pavlopulos, ministri i Ekologjisë, Shëndetësisë si dhe i Punës dhe Politikës Sociale Fani Pali Petrela, do të qëndrojnë në qeveri. Karamanlis ka ndërmarrë këtë reformë në qeveri me qëllim që të përmirësojë imazhin e kabinetit të tij qeveritar që për shkak të krizës ekonomike financiare dhe trazirave të shumta që përfshinë vendin në fundin e vitit 2008, ka humbur shumë pike. Sipas zëdhënësit të qeverisë greke, kabineti i ri i kryeministrit Kostas Karamanlis të enjten paradite do të bëjë betimin.