Gazeta “TemA” nuk do të mbyllet
Kryeministri, Sali Berisha, ka urdhëruar një procedurë të tërë administrative, me shpresë se do të arrijë të fusë në krizë dhe të bllokojë botimin e gazetës “TemA”. Nuk dua të shpjegoj gjithë meskinitetet e tij në këtë pikë. Ka muaj të tërë që terrorizon Bujar Nishanin, madje e ka çuar nga krevati, ku dergjet pas një operacioni të rëndë, që të firmosë një urdhër për të nisur kërkesën për të anuluar një kontratë dhëniesh me koncesion të mjediseve për biznes. Ka terrorizuar ish-miq të mi politikanë në PD, që të hedhin dhe ata një gur mbi gazetën, që të japin provën se janë besnikë të tij. Ka futur nën presion ministra dhe deputetë të mos flasin, të mos japin intervista apo të marrin pjesë në debate me mua dhe kjo si një shenjë besnikërie ndaj tij. Ka urdhëruar policinë ndërtimore të më prishë shtëpinë e prindërve në Golem, dhe i ka terrorizuar drejtuesit e saj, por ata të shkretët gjenden mes penaliteteve ligjore që mund të pësojnë dhe urdhrit për besnikëri. Pastaj kanë çuar fadromat te shtëpia e motrës, pasi aty kam dhe unë një apartament, por dhe aty ka qenë gjithçka me leje dhe s’ka mundur dot ta prishë. Ka urdhëruar taksa, tatime, dogana, polici elektrike, OSSH, KESH e gjithë shërbimet publike që ka nevojë një gazetë të shpallin luftë dhe ata përpiqen ta bëjnë sa munden ... Dikush, se do të bëjë karrierë në PD duke më dëmtuar mua, të tjerë, se duan të ruajnë vendin dhe paratë që vjedhin duke më sulmuar mua... Nuk di se ç’mund të bëjë tjetër një kryeministër i verbuar nga urrejtja dhe mllefi ndaj një gazetari. Kam qenë shumë i duruar gjatë gjithë kësaj kohe dhe nuk kam dashur të bëj betejë publike me meskinitete dhe shkretëtirën mendore të një njeriu të verbuar nga mllefi dhe idhnimi ndaj një gazetari. As tani nuk po i përmend për t’u ankuar, se nuk kam kujt t’i ankohem. Por dua të t’i bëj të qarta disa gjëra si kryeministër.
Së pari, gazeta “TemA” nuk do të mbyllet. Përpjekja juaj për të prishur një kontratë të fituar në ankand për 20 vite, me një çmim më të lartë se sa gjendet e njëjta hapësirë te një biznes privat, është totalisht e paligjshme dhe është e bllokueshme nga çdo gjykatë shqiptare. Kompania që do të ndërtojë aty serverin e kartave të identitetit nuk ka asnjë lidhje fizike dhe hapësinore me kompaninë që boton gazetën “TemA”. Madje, vetë drejtues të kësaj kompanie e kanë shprehur këtë, kur kanë inspektuar mjediset. Kompania që boton gazetën “TemA” është jashtë korpusit të asaj ndërtese dhe është një ish-aneks i Tipografisë Ushtarake. Për gjithë ata që nuk e dinë, kompania që boton gazetën “TemA” ka fituar me ankand për 20 vite të drejtën për të investuar në një sipërfaqe 647 metra katrorë, në një aneks të ish-Tipografisë Ushtarake. Brenda një viti ajo ka investuar mbi 200 mijë euro në punime dhe rikonstruksion të gërmadhave që ishin aty dhe mbi 400 mijë euro makineri shtypshkrimi. Plus kësaj, kostoja e instalimit të këtyre makinerive është e lartë dhe afati i instalimit shkon mbi gjashtë muaj. Në mjediset e Tipografisë Ushtarake gjenden aktualisht katër biznese, së pari, Tipografia e mbetur Ushtarake, Ndërmarrja e Letrave me Vlerë, kompania “Sagem” që ka fituar tenderin e kartave të identitetit dhe kompania që boton gazetën “TemA”. Kompania që boton gazetën “TemA” ka qenë e para që ka fituar një ankand për të shkuar aty. Dy të tjerat kanë ardhur një vit më pas. Është qesharake që nga katër kompani gjithsej, njëra paraqet rrezik kombëtar, kurse tri të tjerat jo, edhe pse të gjitha janë kompani biznesi. Këtë arsyetim nuk ka gjykatë në botë ta pranojë.
Së dyti, gazeta “TemA” nuk do të mbyllet. Përpjekja juaj e verbër për të inkriminuar gjithë ministrat dhe ushtarët tuaj në parti për të bllokuar fizikisht biznesin, herë duke i prerë dritat e herë duke i krijuar probleme banale, nuk na bën të humbasim qetësinë. Jemi të përgatitur për këtë meskinitet tuajin. Rruga deri te prishja përfundimtare e kontratës do të kalojë përmes gjykatave dhe kam besim se ata nuk janë çmendur të përdorin mendësinë e Fidel Kastros për të çuar në vend hakmarrjen e një kryeministri ndaj një gazetari që i ka krijuar telashe imazhit të tij si njeri i korruptuar.
Së treti, gazeta “TemA” nuk do të mbyllet. Përpjekja juaj e verbër për t’u hakmarrë ndaj faktit se gazeta ka qenë e para që ka provuar lidhjet e djalit tuaj me biznesin e ndyrë të Gërdecit, lidhjet e vajzës suaj me sekserin e ndyrë serbo-boshnjak të familjes tënde dhe lidhjet e tua perverse me Lulzim Bashën, ku përfshihet dhe historia korruptive e rrugës Rrëshen- Kalimash, nuk na bën të ndjehemi fajtorë. Përkundrazi, na bën të ndjehemi krenarë. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje. Dhe jo vetëm përtej mandatit tënd si kryeministër, por dhe përtej jetëgjatësisë tënde fizike. Ne do të rrojmë më shumë se ty, edhe pse ëndërron të na shikosh të vdekur. Dhe fëmijët e tu do të vijë një ditë që do të ndeshen si qytetarë të barabartë me ne, dhe jo si fëmijë të një babai që hakmerret ndaj kujtdo që tregon me gisht nga ata.
Së fundi, gazeta “TemA” nuk do të mbyllet, dhe sikur ti të bësh gjithë marrëzitë që bën kur nuk del dot nga vetja. Ajo do të botohet çdo ditë, në çdo vend që të mundet, në shtëpinë time, në makinën time, qoftë dhe në një metër katror ajër që unë mund të kem mbi këtë tokë. Dhe nuk shpëton dot nga makthi që të ka futur në këtë spirale idiote. Gazeta do të botohet dhe do të vazhdojë të flasë me shumë etikë për bëmat e familjes tënde në pushtet, edhe pse ti po e ul nivelin në sulme banale në luftën ndaj medias. Ne kemi standardin tonë, idetë tona dhe luftën tonë. Ato nuk komandohen nga ti. E dimë që të dhemb kjo gjë, por thjesht po të lajmërojmë se gjashtë muajve të fundit të këtij mandati po u shton një gur të rëndë në qafë demokratëve që kanë të drejtë të rikërkojnë një mandat tjetër, por që ti po ua bën përditë e më të vështirë këtë ëndërr. Dhe po u varros ëndrrën fëmijëve të të persekutuarve, fëmijëve të ish-pronarëve, fëmijëve të atyre demokratëve që të besuan tetë vite, për hir të Shkëlzenit, Argitës dhe Lulëzimit, për të cilët nuk të ka votuar dhe nuk do të votojë asnjëherë asnjë shqiptar.