E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me Jozefinën për skenografinë e 12 Dhjetorit

Nga Tema

Antena brenda familjes

Një sherr i madh i ndodhi Flamurit me skenografinë e 12 Dhjetorit. Në fillim e kishin menduar të imitonin Bushin, Konventën e republikanëve dhe të ruanin formatin amerikan. Kjo dhe për arsyen e thjeshtë: Flamuri i kishte ruajtur skenografinë Kuvendit të fundit dhe mjaftonte që të përsëriste faturën e majme për PD dhe ishte në rregull. Po ç’t’i bësh asaj zonjës se. E mori Jozefina në telefon dhe filloi t’i bënte ndryshimet.

- Këtu tash duhet me i heqë këto ekranet, me vënë dy fjongo të bardha…

- Po nuk e kishin kështu ata amerikanët, - i tha Flamuri.

- E di unë atë punë, - tha. - Kam bo për çerek ore skenografinë e Kuvendit kur zgjodhme presidentin. E futa një flamur të BE si fjongo aty, krejt ma kanë pëlqy.

- Dakord, po e bëjmë, - tha Flamuri.

Shkoi në Pallat të Kongreseve dhe vuri dy fjongot. U rrit dhe ca fatura. Pas dy orësh erdhi vetë Jozefina. E pa skenën. S’i pëlqeu.

- Çka janë këta të rinj që do mbajnë parullat pas Berishës? –tha.

- I kemi marrë nga Forumi Rinor, - i tha Flamuri.

- E kush i ka gjetë?

- S’e di, po të gjithë kanë gjetë ndopak. Majlinda ka fol me ca gjimnaze dhe ata do sjellin të rinj.

- Majlinda Bregu me sjell njerz këtu? Ne s’kena vdekë. Unë i sjell këta të rinjt. Ja flas me dikënd në Shkodër dhe i bie do të rinj. Pse kena vdekë ne me na i sjellë Majlinda…?

- Në rregull, më thuaj ç’të bëj tjetër?

- Çka janë ato emna që ke vënë në karrike?

- Janë emrat e qeverisë dhe të ftuarve te pjesa kryesore, - i tha Flamuri.

- Hiqi urgjent. Si me pasë emna qeverie aty? Me kenë Majlinda, Luli, Pollo… S’ban. Sa të jem unë, këtu jo.

- Po si t’ia bëjmë se mos ngatërrohen kur të vijnë?

- Vuni emnat tanë në rresht të parë, Berisha, unë dhe të tjerët nga pas.

- Ju duhet me u lanë nga dy vene, se jeni çift.

- OK, nga dy na len, s’ka rëndësi. Veç s’du me pa ata të tjerët.

- Po Bamir Topin, se ai është president?

- Lene një vend bosh, po erdhi, mirë, po nuk erdhi, aq më mirë. Nëse vjen vonë, ulet nga pas.

- Po këta të rikthyerit në PD, Imami Zogaj, Ruli…?

- S’du me i pa fare këtu. Le të rrinë në sallë me të tjerët.

- Po mos i ngelet qejfi atij burrit, se do t’ia përdorin?

- Këtu vendos unë. Sa vetë vejnë e vijnë në këtë parti, s’kena kohë me i respektu të gjithë.

Pasi ia përmbysi gjithë skenografinë, Flamuri i dërrmuar, filloi punë nga e para.

Një orë para vjen Berisha.

- Si është skena? - tha. - Pse e keni ndërru, nuk e kishim kështu?

- Erdhi Jozefina doktor, - i tha Flamuri, - dhe tha që duhet me e ndërru, se ne nuk jemi si parti me Obamën.

- ǒpunë ka Jozefina këtu, a të thashë ty?

- Më the, po s’kam fuqi t’i them jo Jozefinës, - tha. - E di që ke të drejtë. Tani e ndryshoj prapë po deshe, se kemi dhe një orë kohë.

- Jo Flamur, s’ka nevojë me e ndërru. Më ul Lulin në krah dhe pastaj Jozefinën dhe e kupton vetë ajo se ç’do të thotë të merresh me skenografinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›