Gazeta amerikane shkruan për zgjedhjet shqiptare
Gazeta prestigjioze "New York Times" ka botuar një shkrim për situatën parazgjedhore dhe zhvillimet e tjera në vendin tonë. Gazeta thekson se këto zgjedhje, janë gati-gati një ndeshje gladiatorësh mes: kryetarit të PD-së, Berisha, dhe sfidantit të tij, Rama. Në këtë artikull i vihet theksi çështjes së vizave për shqiptarët dhe sa të izoluar ndihen qytetarët e këtij vendi që pak kohë më parë u anëtarësua në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Ne shqiptarët jemi të shkëputur nga pjesa tjetër e botës dhe për këtë fakt ndihemi mjaft të lodhur", shprehet një 45-vjeçar përpara dyerve të ambasadës gjermane, i intervistuar nga gazetari i "New York Times". Pavarësisht kësaj, shqiptarët, si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit dëshirojnë të integrohen në familjen e madhe europiane, shkruhet më tej në artikull, ndonëse sipas gazetës, e cila i referohet "Amnesty International", më shumë se 18 për qind e popullatës jeton nën nivelin minimal të jetesës, me 2 dollarë në ditë, ndërsa shërbimi mjekësor shpesh varet nga ryshfetet. Në këtë artikull nënvizohet fakti se që pas rënies së komunizmit në vitin 1991, zgjedhjet në këtë vend janë kontestuar, ku humbësi ka akuzuar fituesin për vjedhje votash. Në gazetë përmendet vrasja e një eksponenti të një Partie Konservatore në veri të vendit, vrasja e një simpatizanti të Partisë Demokratike, si dhe ekzekutimi i një deputeti socialist. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar për këto zgjedhje, pasi edhe nëse votimi kalon i qetë janë me mijëra banorë të zonave rurale, të cilët nuk janë pajisur me dokumentet e duhura për votim. Gazeta thekson se këto zgjedhje, janë gati-gati një ndeshje gladiatorësh mes dy burrave: kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe sfidantit të tij, Edi Rama.