E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçovë, papastërtia sëmur ushtarët e NATO-s

Ndonëse që prej 4 prillit të këtij viti vendi ynë është anëtar me të drejta të plota në organizatën e NATO-s, ushtria shqiptare ndodhet në kushte mjerane. Pas rekrutimit me forcë të ushtarëve, janë edhe kushtet e reparteve ushtarake ato që e kthejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një ferr të vërtetë.

E tillë është situata në bazën ushtarake Nr. 33-62 në Kuçovë të Beratit. Në këtë bazë, që është pjesë e Aeroportit Ushtarak të Kuçovës, ndodhen 3 nënreparte të tjerë, ndërkohë që numri i ushtarëve është afro 100 të tillë.

Por, ndërsa 20 ushtarë e kryejnë shërbimin në qendër të repartit, 80 të tjerë janë vendosur në nënrepartet që ndahen me fraksione 33-62/ 3, 2 dhe 1. Në këto nënreparte, ushtarët duhet të përballen me një mungesë të plotë të kushteve higjieno-sanitare dhe të bazës jetike. Madje, ushtarët prej më shumë se një muaji janë prekur edhe nga sëmundje të lëkurës, për të cilat askush nuk e ka vrarë mendjen t‘i diagnostikojë, nëse bëhet fjalë për epidemi zgjebeje, ndonjë rast kolere, apo infeksione të thjeshta. Vetë ushtarët pohojnë se në repartin e tyre ka një mjek, por ai jo vetëm që nuk kryen vizita periodike për ta, por as që është parë ndonjëherë si nga rekrutët e rinj, ashtu edhe nga ushtarët e vjetër.

Denoncimi

Situata jo normale ku ndodhen sot nënrepartet e bazës ushtarake të Kuçovës është denoncuar nga motra e një ushtari, banore në fshatin Fiershegan të Lushnjës. Elvira M. ka sinjalizuar pranë gazetës "Shqip" se në repartin ushtarak të Kuçovës ka rënë kolerë. Ajo ka shpjeguar të gjitha simptomat që vëllai i saj, Ladi, kishte pasur gjatë vizitës së fundit në familje, 2 ditë më parë dhe apelon për ndihmë, duke treguar më tej se në repartin e ushtrisë në Kuçovë ushtarët flenë me batanije plot me parazitë. Ky denoncim publik është pohuar edhe nga vetë ushtarët e këtij reparti.

Verifikimi

Në qendër të bazës ushtarake të Kuçovës, gjatë ditës së enjte, një ushtar nga Belshi i Elbasanit shpjegon se ka rreth 10 muaj me shërbim ushtarak në Kuçovë. Ai tregon se në qendrën e repartit situata është e mirë, por në nënreparte gjendja është mjerane dhe pa asnjë lloj kushti jetese. Një tjetër nga ushtarët e repartit, i ardhur nga fshati Fratar i Mallakastrës, Elis Jaupaj, pohon për gazetën se rreth 20 ushtarëve që prej disa ditësh u kanë dalë puçrra dhe plagë të mëdha në trup.

"Kanë plagë dhe puçrra, por ndoshta u ka ardhur nga bari dhe pylli ku shkojnë për të kryer nevojat personale. Pothuajse i gjithë trupi i tyre është me plagë. Në nënrepartin Nr. 2 nuk ka banja dhe ushtarët lahen me kanoçe e shkojnë ku të mundin kur kanë nevojë për në banjë", thotë ushtari Jaupaj. Sipas tij, "mjeku i repartit as që duket fare këtej". Ai shton se "gjatë një viti e kam parë vetëm një herë dhe më as që bëhet fjalë. Ai nuk i viziton asnjëherë ushtarët".

Të njëjtat kushte skandaloze jetese rrëfehen edhe nga një tjetër ushtar, që shërben në nënrepartin Nr. 2 të bazës ushtarake të Kuçovës. Ai quhet Haxhi Lalaj dhe është nga Berati. Atë e gjejmë në portën hyrëse të nënrepartit, ku qëndrojnë avionët "Mig". Lalaj shpjegon se janë me dhjetëra ushtarë të rinj e të vjetër që shërbejnë në këtë nënrepart, i cili varet prej bazës ushtarake të Kuçovës. Ai ka pohuar edhe mungesën e banjave dhe kushteve higjieno-sanitare në repart. Ai thotë se ka godina kapanonesh, por kur e pyet për tualetet qesh. "Dalim këtej nga lulet, pemët, pylli. Kemi edhe ca tunel afër dhe shkojmë atje. Por edhe tunelet janë mbushur aq shumë me jashtëqitjet tona sa nuk u afrohesh dot", tregon ushtari Lalaj. Duket se më me fat janë ata që mund të quhen vendalinj. "Ne që kemi shtëpinë në qytet, afër, na jepet leje me orë. Unë jetoj në Berat dhe më jepet rreth 3 orë leje sa të shkoj të lahem dhe të kthehem. Kjo ndodh një herë në muaj", thotë ai. Ushtarë të tjerë të tregojnë se më e rëndë situata është për ata që e kanë shtëpinë larg. Në këtë repart ka ushtarë që vijnë nga Mallakastra, Fieri, Durrësi, Elbasani, Lushnja etj. Ushtarët që e kanë shtëpinë larg u duhet të presin deri sa të marrin lejet e rralla për të shkuar në shtëpi, që të mund të lahen si njerëz. Duke qeshur, uniformat e gjelbra të NATO-s shqiptare të thonë se tani në verë presin të bjerë shi me rrebesh që të mund të heqin ndopak zhulin që i mbulon.

Reagimi

Ushtari Lalaj, i cili shërben në portën hyrëse të repartit Nr. 2, nuk lejon që të hyjë asnjë i huaj në mjediset e rrethuara të nënrepartit. Ai thotë se zyrtarisht mund të prononcohen dy komandantët, që gjatë të enjtes ishin në repart. Së bashku me ushtarin Lalaj nga qendra ku ndodhen godinat e repartit vjen një prej komandantëve. Ai nuk dëshiron të prezantohet, por thotë se për të vizituar mjediset e brendshme të repartit duhet më parë një leje nga Ministria e Mbrojtjes. Insistimit nëse ka banja reparti, ai i përgjigjet: "Dilni tek ajo kodra aty dhe shikoni nga larg në ka apo jo. Dushe po që nuk ka në repartin tonë, por ato do të vendosen vetëm pas pak kohësh". Kur e pyet për batanijet dhe shtresat e ushtarëve me morra, komandanti qesh dhe thotë: "Ikni në qendër dhe pyesni atje, pasi nuk jam i autorizuar të flas". E njëjta përgjigje standarde vjen edhe për prezencën e mjekut të repartit. Komandanti i këtij nënreparti ka ndaluar edhe ushtarët të flasin për kushtet higjieno-sanitare në të cilat ata po kryejnë shërbimin ushtarak. "Ata janë në shërbim dhe nuk u lejohet të flasin", ka shtuar ai.

Rekrutimet e fundit në këtë bazë ushtarake janë bërë në muajin janar dhe në prill. Nga këto sëmundje lëkure, ende të padiagnostikuara, që mbahen të fshehta, janë prekur ushtarët e rekrutuar në muajin janar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›