Kryeministrat angazhohen të thellojnë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve
Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan, e cilësuan rrugën Durrës-Kukës-Morinë si një nyjë të rëndësishme që do të lidhë vendet ballkanike me njëri-tjetrin. Pas inaugurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash, dy kryeministrat janë rikthyer në selinë e Kryeministrisë në Tiranë ku mbajtën edhe një deklaratë për mediat. Kryeministri Erdogan theksoi se ftesa për të ardhur në Shqipëri në prag të zgjedhjeve ishte një iniciativë e Kryeministrit Berisha për ceremoninë e inaugurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. "Ne jemi të kënaqur që firma jonë turke "Enka" e ndërtoi këtë rrugë bashkë me firmën amerikane "Bechtel". Ne jemi të lumtur që u realizua një praktikë e tillë e suksesshme, e cila do të lidhë vendet ballkanike me njëri-tjetrin. Unë me këtë rast përgëzoj mikun dhe kolegun tim, zotin Berisha dhe ekipin e tij", tha Erdogan. Sipas tij, këto 6 vitet e fundit, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë po zhvillohen në të gjitha fushat, në fushën politike, ekonomike, kulturore. "Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe po të shohim shumë kushërinj të shqiptarëve që banojnë në Turqi, ose shumë turq kanë kushërinjtë e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas dhe këto fuqizojnë akoma më shumë lidhjet tona. Aktualisht, ne jemi bashkë me Shqipërinë në NATO", tha ai. Erdogan premtoi se Turqia do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje me Shqipërinë, mike dhe motër. "Mes nesh nuk ka asnjë problem politik dhe ne jemi të vendosur të punojmë në solidaritet me njëri-tjetrin", nënvizoi Erdogan, i cili shtoi se Turqia do të vlerësojë përpjekjet që po bën Shqipëria për anëtarësimin në Bashkimin Europian. "Edhe zhvillimi ekonomik në Shqipëri ecën në mënyrë pozitive dhe është për t‘u vlerësuar. Siç e tha zoti Kryeministër, vëllimi tregtar midis dy vendeve para 6 viteve ishte 35 milionë dollarë, sot ka kaluar 350 milionë, por duam që kjo shifër të jetë akoma më e lartë, sepse shikojmë që mes nesh ka mundësi për këtë", tha ai. Duke shfrytëzuar rastin e kësaj vizite, Berisha theksoi se "dua t‘i shpreh edhe një herë Kryeministrit Erdogan mirënjohjen e thellë të qeverisë sime dhe të shqiptarëve për mbështetjen shumë të madhe që personalisht Kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë". Aty ai si për anëtarësimin e saj në NATO, ashtu edhe në të gjitha zhvillimet dhe reformat në vend, por edhe mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit dhe qeverisë turke për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e kësaj pavarësie nga vende të tjera në Europë dhe në botë".