E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazeta e Karamanlis kundër kalimit të Dules me PS-në

Autori i Lajmit: red.
Zgjedhjet në Shqipëri

Greqia po ndjek me interes të veçantë kohët e fundit zhvillimet politike në Shqipëri dhe sidomos ato politiko-zgjedhore që po ndodhin në të gjitha kampet në vend. Kjo për vetë faktin se, sipas tyre, këto zgjedhje lidhen ngushtë me fatin e minoritetit grek në Shqipëri dhe të ardhmen e tyre në politikën shqiptare dhe Parlamentin e ri. Gazeta prestigjioze “Kathimerini”, e cila anon nga partia në pushtet e Nea Demokracisë, të kryeministrit Kostas Karamanlis, përmes gazetarit të saj Stavros Xhimas, i cili ndjek dhe mbulon vazhdimisht zhvillimin e ngjarjeve politiko-ekonomike në Shqipëri, i ka kushtuar dje në numrin e radhës një analizë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Sipas Xhimas, këto zgjedhje e gjejnë minoritetin grek dhe partinë e tyre, PBDNJ-në, të përçarë dhe me vota të reduktuara në krahasim me vitet e shkuara, kjo për vetë faktin se politikanë të minoritetit grek në vend do të kandidojnë për llogari të dy forcave të mëdha, PD-së dhe PS-së, gjë që do të zbehë dhe pakësojë deputetët e partisë së Dules në Parlamentin e ardhshëm. Gazeta Ballkan përgatiti një pasazh të komentit të gazetarit grek Stavros Xhimas, ku thuhet se “përherë zgjedhjet në Shqipërinë fqinje kanë pasur një interes të veçantë për Greqinë dhe sa herë që ato zhvilloheshin, temperatura në marrëdhëniet mes dy shteteve arrinte majat. Arsyeja? Minoriteti grek dhe prezenca e tyre në Parlamentin shqiptar. Parti e mirë, për ne grekët, do të ishte ajo që do të mbështeste përpara zgjedhjeve mbijetesën e partisë së vogël, PBDNJ-së, Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, e cila përbën dhe shprehinë më të organizuar politike. Pak ose aspak na shqetësonte fakti nëse qeveriste në mënyrë demokratike, nëse politikat e saj të çonin në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e fqinjëve, dhe bashkë me të edhe atë të minoritetit grek, dhe në fund se cila do të ishte loja politike e saj në rajonin e Ballkanit. Agonia jonë përfundon në zgjedhjet e shtetit fqinj, nëse do të ecte mirë PBDNJ-shi apo nëse do të thyente barrierën e tre deputetëve, një kufi që nuk e kaloi kurrë. Dhe them që nuk e kaloi pasi nuk ia lejuan kundërshtitë e brendshme politike, në të cilat është zhytur minoriteti grek dhe nga e cila nuk bën të dalë. Nuk mbaj mend në gjithë këto vite një përballje elektorale në të cilën minoriteti grek të zbresë kaq i përçarë, me përjashtim të vitit 1991, menjëherë pas rënies së diktaturës komuniste, kur organizata e tyre politike OMONIA fitoi në Parlament pesë përfaqësues të saj. Mosmarrëveshjet, kontradiktat dhe kundërshtitë pa baza, ambiciet vetjake, interesat e vogla, pasqyrohen në sjelljen e elektoratit të saj duke ushqyer një klimë dëshpërimi në minoritet. E njëjta gjë edhe tani. PBDNJ-ja do të zbresë në zgjedhje e plagosur. Ditë përpara përballjes delikate zgjedhore kanë dhënë dorëheqjen eksponentë të rëndësishëm të saj duke shfaqur divergjenca me tone jo dhe aq të forta politike. Në momentin që PBDNJ-ja ka shfaqur tendencën e një hapjeje të saj ndaj elektoratit jominoritar po humbet terren të rëndësishëm tek minoriteti grek, i cili, teorikisht, është forca më e madhe e tyre dhe burimi i votave. Për partinë e minoritetit erërat nuk fryjnë dhe aq rregullisht , e cila po kërcënohet me rënie të mëtejshme elektorale. Zgjedhja e saj e detyruar t i bashkohet koalicionit me socialistët, duke refuzuar kështu koalicionin mazhoritar të Sali Berishës, sepse kishte përfshirë në të dhe partinë e çamëve, PDI-në, nuk i siguron suksesin që ajo aspiron nëpërmjet favorizimit indirekt nga Partia Socialiste. Madje, as prezenca karizmatike e liderit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, në mediat shqiptare nuk mjafton për këtë. Polarizimi në fushatë parashikohet të jetë i madh dhe presioni i partive shqiptare, të cilat do të kandidojnë në listat e tyre minoritarë, pritet të jetë i papërballueshëm. Armiku më i madh, në të vërtetë, gjendet në radhët e PBDNJ-së dhe është ndarja, e cila po gërryen grekët e Shqipërisë dhe për të cilën nuk është fatkeqësisht përgjegjësi e qendrave “metropolite”, të cilat një jetë, me njërën mënyrë apo tjetrën luajnë dhe vazhdojnë të luajnë lodra në kurriz të tyre. Por kjo e fundit është një kapitull që aplikohet”, thotë analisti i gazetës greke “Kathimerinis”, Stavros Xhimas, në shkrimin e djeshëm për zgjedhjet në Shqipëri.

Nga Stavros Xhimas (stzimas@kathimerini.gr)
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›