E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nazizëm-racizmi policor ndaj emigrantëve myslimanë

Autori i Lajmit: Jakup Gjoça
Nga Athina, Jakup Gjoça

Ngjarja
Të mërkurën, datë 13 maj, policia greke organizon në lagjen “Ajiu Pandelejmoni” të Athinës, një operacion “skupe” fshese ndaj emigrantëve, e koduar lufta ndaj krimit të organizuar. Në një kafene, e cila zakonisht frekuentohet nga emigrantë, hyjnë 8 policë grekë dhe kontrollojnë dokumentet e të gjithë emigrantëve. Një polic grek kontrollon edhe një të ri afgan 24-vjeçar, me emrin Muhamet, i cili akoma nuk di të flasë mirë greqisht. Polici i boshatis xhepat. Në tokë bie një libër.
- Çfarë libri është ky? - pyet polici i egërsuar, derisa nuk mund të lexonte arabisht.
- Është Kurani, e lexoj dhe e mbaj kurdoherë me vete,- u mundua të shpjegojë afgani.
Polici i egërsuar filloi ta çirrte duke sharë.
- Mos, mos e gris,- i foli një polic tjetër.
- Të venë me gjithë kuranë e të gamisen ( është fjala më e ndyrë që mund të përdoret).
Dhe polici grek, pasi e grisi, filloi me urrejtje të madhe edhe ta shkelte me këmbë.
Asnjë nga policët e tjerë nuk ndërhyri që të pengonte policin të mos çirrte Kuranin dhe ta shkelte me këmbë.

Heshtje politike, guackë mbrojtje
Përdhunimi i librit të Kuranit nga policët grekë shkaktoi revoltë të fuqishme te të gjithë emigrantët myslimanë, pakistanezë, kurdë, afganë e të të tjera shtetësive që ndodhen në Athinë.
Dhjetëra emigrantë u mblodhën të enjten pasdite përballë postës policore të Kipselit duke protestuar ndaj përdhunimit të Kuranit nga policët grekë. “Fakti që polici e grisi Kuranin dhe e shkeli me këmbë, është krimi më i rëndë për myslimanët,- tha kryetari i Bashkimit të Myslimanëve në Greqi, Naum Elgatur.- Kurani është simboli ynë, përfaqëson besimin tonë. Dhe vlera e 1 myslimani vlerësohet në bazë të besimit të tij”.
Kuptohet, askush nga drejtuesit e policisë greke nuk guxoi, të paktën, që të kërkojë falje publike dhe të dënojë krimin e policit grek ndaj Kuranit. Heshtën të gjithë, duke filluar që nga ministri i Policisë Greke, Pavlopullos, që jo rastësisht është edhe përgjegjësi dhe hartuesi i Politikës të Emigracionit në Greqi. Dhe as Markojanaqis, i cili është përgjegjësi politik i Policisë Greke, kuptohet, as edhe zëdhënësi i qeverisë greke, Andonaros.
Emigrantët, tashmë të irrituar dhe të revoltuar, kanë dy ditë që demonstrojnë dhunshëm nëpër Athinë.
Përsëri policia greke hesht në mënyrë provokuese.

Sinjale për dhunën e ardhshme
Revoltat e dhunshme të emigrantëve myslimanë nëpër Athinë shoqërohen edhe me veprime vandale.
Policia greke, për çudi, mungon.
Media greke, disa nga kanalet televizive, pasqyrojnë kronikat e dhunës, duke treguar xhama të thyer të vitrinave të lokaleve, pa theksuar aspak shkakun e revoltës së emigrantëve.
Gjatë ditës të enjte, jo pak mjete të medias greke u munduan që të fshehin shkakun e revoltave të dhunshme të emigrantëve nëpër rrugët e Athinës, duke thënë me dyshim se “... emigrantët akuzojnë policinë greke që ka çjerrë dhe shkelur me këmbë Kuranin, por akoma nuk është vërtetuar saktësia e akuzës së emigrantëve myslimanë...”
Çjerrja dhe përdhunimi me këmbë i librit të Kuranit është shkelja më e rëndë e Të Drejtave të Njeriut, e Shkeljes së të Drejtave të Besimit të Njeriut.
Në një shoqëri demokratike, të tilla vandalizma të vlerave të qytetërimit dhe civilizimit të njerëzimit, do të shkaktonin ndryshime politike.
Gjithë udhëheqja politike në Greqi heshti, duke dashur, kësisoj, të nënvlerësojë krimin ndaj Të Drejtave të Njeriut dhe Shkeljes së të Drejtave të Besimit të Njeriut. Heshtja politike greke është, njëfarësoj, edhe mosdënim i krimit. Të heshtësh politikisht ndaj krimeve të tilla ndaj Njerëzimit-sikurse është çjerrja dhe shkelja me këmbë e Kuranit publikisht si edhe e kujtdo simboli të besimit njerëzor, është shfaqja më ekstreme e racizmit politik. Në historinë e re njerëzore, të tilla shfaqje të racizmit politik njehsohen me egërsinë më të zezë politike që njohu historia, me errësirën e nazizmit.
Mungesa e plotë e policisë greke në vandalizmin që pason revoltën e emigrantëve në rrugët e Athinës, është edhe një sinjalizim domethënës:
Emigrantët që ekspozohen publikisht, të akuzohen për vandalizëm ndaj pasurisë dhe qetësisë publike. Dhe, kësisoj, policia greke të ketë duart e lira që të ushtrojë ndaj emigrantëve dhunën e ardhshme.
Madje, duke i shërbyer këtij qëllimi, shumë mjete të medias greke, sikurse kanale televizive dhe stacione radioje, japin reportazhe LIVE, dhe qëllimisht përçojnë edhe zërin e revoltës, tashmë të qytetarëve grekë, kundër emigrantëve, të cilët i cilësojnë emigrantët si shkaktarë (të vetëm) të dhunës kundër prishjes të rregullit publik.
Këtij qëllimi i shërben edhe propaganda më e fundit greke, ku faktori i çdo të keqeje në Greqi janë ....emigrantët. Emigrantët në Greqi fajësohen për papunësinë. Emigrantët në Greqi fajësohen edhe për rritjet shqetësuese të treguesve të krimit. E pohoi këtë edhe kryeministri grek, Karamanlis, kur theksoi 2 javë më parë, që 50 % e krimeve në Greqi janë nga emigrantët.
Sipas kësaj propagande greke, edhe çdo masë policore ndaj emigrantëve është e pranueshme në kuadrin e luftës kundër...krimit. Kësisoj, politikisht i lejohet fushëveprimi policisë greke që të veprojë me të gjitha mjetet e saj kundër emigrantëve.
Kjo e fundit shpjegon edhe heshtjen dhe mosdënimin politik nga askush të çjerrjes dhe shkeljes me këmbë të librit të Kuranit nga polici grek.
Gjatë 2 viteve të fundit, policia greke ka shkaktuar dhunën e saj të egër kundër të Drejtave më elementare të Njeriut. Përmendim ngjarjen në postën policore të Omonoias, ku policët grekë dhunonin emigrantët, duke i detyruar ata të qëllonin njëri-tjetrin, në Selanik ku policia greke rrahu deri sa e sakatosi studentin nga Qiproja, pa asnjë shkak dhe fajtor bënë...bordurën e trotuarit, vrasjen nga polici të 15- vjeçarit Aleks, në nëntor të 2008-s.
Të gjitha këto shfaqje të dhunës raciste të policisë greke kundër çdo të Drejte të Njeriut ndodhin, çuditërisht dhe ...rastësisht, disa ditë para se të bëhen zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian. Me flamurin e dhunës raciste kundër të Drejtave të Emigrantëve, po shkon në zgjedhjet e Parlamentit Evropian Greqia. jakupgjoca@hotmail.com

Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›