E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, programi: “Shëndetësia, thembra e Akilit për mandatin e dytë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Kuvendi i PD-së

Partia Demokratike do të mbledhë sot në orën 18.00 pasdite, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Kongresin Elektoral ku do të miratojë programin e saj për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, përmes të cilit synon një mandat të dytë qeverisës. Burime të brendshme nga selia Blu , bëjnë të ditur për gazetën Ballkan se pika më e fortë e këtij programi dhe një nga reformat më të mëdha që PD-ja do të bëjë është Shëndetësia. Programi elektoral i PD-së, që do të miratohet sot, do të përfshijë reforma të mëdha në fushën e arsimit, bujqësi, ekonomi dhe punësim, por edhe projekte të rëndësishme në rrugët kombëtare dhe infrastrukturën rurale në mbarë vendin. Burime pranë PD-së bënë të ditur se Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, njëkohësisht Kryeministër i vendit, do të drejtojë programin e PD-së, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, do të merret me anën organizative të Kongresit. Sipas të njëjtave burime, programi që tashmë ka përfunduar dhe ka kaluar dhe në dorë të kryetarit dhe kryeministrit Berisha, është përgatitur kohë më parë nga të gjitha ministritë e qeverisë duke dalë nga strategjitë ndërministrore për katër vjetët e ardhshme. Programi elektoral për zgjedhjet e muajit të ardhshëm mësohet se është hartuar tashmë sipas direktivave të kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, edhe pse është konceptuar si strategji politike e çdo ministrie më vete. Nëse marrim disa prej pikave të këtij programi ajo që është në vend të parë dhe që përbën dhe reformën më emergjente, e thënë kjo edhe nga vetë kreu i qeverisë, Berisha, ditë më parë, është pa dyshim shëndetësia. Sipas kësaj strategjie, katër do të jenë çështjet kryesore në shëndetësi për të nxjerrë këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare nga kriza dhe korrupsioni që e ka përfshirë vite të tëra tashmë. Së pari, do të bëhet reformë totale në shërbimet e qytetarit dhe të të sëmurëve nëpër spitale dhe qendra shëndetësore, përparësi do të kenë moshat e thyera, fëmijët dhe shtresat në nevojë, duke filluar që nga akomodimi i tyre nëpër spitale të reja dhe të rikonstruktuara, sistemi i shërbimeve mjekësore dhe logjistikës si dhe krijimin e sistemit online të kartelave dhe djagnostikimit të pacientit. Një tjetër element mbi të cilin qeveria Berisha hodhi hapin e parë që më 2008, është rritja e trajtimit ekonomiko-financiar të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të shërbimit spitalor në gjithë vendin. Nëse PD-ja rivjen në pushtet, do të ketë rritje të rrogave për kategoritë e sipërpërmendura, çdo gjashtë muaj, dhe çdo një vit me qëllim trajtimin sa më të mirë financiar të tyre, duke bërë kështu eliminimin në maksimum të korrupsionit në shëndetësi. Reforma e dytë më e rëndësishme në programin e demokratëve do të jetë arsimi, ku ngritja e shkollave profesionale parauniversitare do të jetë kryefjala e kësaj reforme. Bujqësia gjithashtu do të jetë në vëmendjen e qeverisë më shumë këtë katërvjeçar, pasi produktet vendase bujqësore dhe blegtorale marrin një rëndësi të veçantë tanimë dhe me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe marrëveshjes së ndërmjetme me BE-në. Më poshtë në programin e hartuar nga të gjitha ministritë e qeverisë Berisha janë edhe zhvillimi ekonomik, një pikë e fortë e katërvjeçarit të kaluar, dhe punësimi e shërbimet sociale në vend. Për sa i përket kthimit të eksponentëve të vjetër në PD, ky do të jetë Kuvendi i parë Kombëtar për ta, gjë që do të pasqyrohet dhe në panelin e tribunës së sotme. Marrëveshja e nënshkruar pak kohë më parë mes Genc Pollos dhe kryeministrit Sali Berisha është pasqyruar edhe në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së ku në të janë përfshirë si Pollo ashtu edhe ish-sekretari i PDR-së, Tritan Shehu, por edhe Eno Bozgo zv.ministër i Ekonomisë. Ndërkohë, ndryshe nga kongresi i zakonshëm i PD-së, ai i ditës së shtunë nuk do të ketë zgjedhje për kryesinë e PD-së, pasi ato do të zhvillohen pas zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Programi i PD-së, 5 pikat kryesore

Shëndetësia
a. Shërbimet ndaj qytetarëve
b. Sigurimi shëndetësor
c. Rritja e cilësisë dhe e teknologjisë mjekësore
ç. Përkujdesi financiar dhe social i infermierëve, mjekëve dhe personelit spitalor

Arsimi
a. Shtrirja e arsimit profesional parauniversitar në gjithë vendin
b. Ngritja e shkollave dhe qendrave të edukimit e konvikteve arsimore të reja
c. Rritja e cilësisë së diplomave në universitete
ç. Rritja e bursave për studentët në nevojë dhe atyre me rezultate të shkëlqyera
d. Ndërtimi i qendrave të informatikës në çdo shkollë nëntëvjeçare, të mesme dhe universitet

Bujqësia
a. Strategjia e mbjelljes së ullirit
b. Stimulimi i fermerëve vendas dhe produkteve Made in Albania
c. Financimi me projekte qeveritare, nëpërmjet bonusit të kultivimit të pemëve frutore
ç. Mbrojtja me ligj e produkteve vendase bujqësore dhe blegtorale ndaj atyre të huaja

Ekonomia
a. Nxitja e investimeve të huaja dhe projekteve në rrugë, energji, industri dhe shfrytëzimin e gazit, erës, produkteve të naftës si dhe dhënia me koncesion e porteve shqiptare
b. Stimulimi i biznesit të vogël dhe të mesëm shqiptar, ulja e taksave të biznesit të vogël dhe të mesëm
c. Ndërtimi i disa segmenteve të mëdha rrugore, Boshti i Jugut, Rruga e Arbrit si dhe Autostrada e Adriatikut
ç. Rritja e rrogave për arsimtarët, infermierët dhe mjekët, dyfishimi i pensioneve në fshat, jo më pak se 100 dollarë dhe rritja e pensionit në qytet
d. Vazhdimi dhe shtimi i investimeve në zonat rurale dhe fshatra, në rrugë, ujësjellës, shkolla dhe qendra edukimi

Punësimi
a. Ulja e numrit të të papunëve dhe punësimi nëpërmjet rritjes së investimeve qeveritare dhe të huaja
b. Stimulimi i investitorëve dhe kompanive me uljen e taksave me qëllim thithjen e personelit të punës
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›