E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votuesit: “Fondet publike po përdoren për fushatë elektorale”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Sondazhi i ZMQ

Më shumë se gjysma e zgjedhësve nuk besojnë në zgjedhje të lira e të ndershme. Në bazë të një sondazhi, të publikuar dje nga përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Endrit Shabani, 53 për qind e votuesve mendojnë se zgjedhjet e 28 Qershorit do të shoqërohen me probleme. Edhe pse theksojnë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, ata vënë në pikëpyetje procesin e zhvillimit të tyre. Sipas personave të pyetur, problemi më i madh do të jetë gjatë numërimit të votave, por edhe në momentin e votimit kryesisht për shkak të dokumenteve që do të përdoren për identifikimin e votuesve. Por një tjetër problem njëkohësisht kritik ndaj pushtetit qendror dhe vendor është keqpërdorimi i fondeve publike. 69 për qind e të anketuarve shprehen se po keqpërdoren fondet, duke adresuar kritikat ndaj qeverisë. Gjatë prezantimit të sondazhit, Shabani sqaroi më tej se në bazë të të dhënave, 78 për qind e shqiptarëve do të marrin pjesë në zgjedhje, ndërkohë që vota e zgjedhësve do të jepet mbi bazën e partive dhe jo kandidatëve apo programit. Një tjetër tregues i sondazhit vë në dukje se 82 për qind e shqiptarëve nuk e njohin sistemin elektoral.
Sondazhi
ZMQ ka pyetur plot 1200 qytetarë në të gjithë vendin gjatë muajit prill lidhur me situatën parazgjedhore, pjesëmarrjen në zgjedhje apo dhe problemet që duhet të zgjidhë qeveria e re. Në bazë të sondazhit, del në pah besimi i ulët për garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë e të ndershëm. Kështu, janë vetëm 22 për qind e qytetarëve që mendojnë se zgjedhjet do të jenë sipas standardeve, ndërsa 69 për qind mendojnë se për të mbuluar shpenzimet e fushatës elektorale po përdoren fondet publike. Sipas sondazhit, plot 78 për qind e të anketuarve do të marrin pjesë në zgjedhje, ndërkohë që 54 për qind e tyre kanë vendosur dhe për cilin do të votojnë. 46 për qind janë ende të pavendosur. Përfaqësuesi i ZMQ-së, Shabani, vlerësoi se kjo pjesëmarrje e lartë e shqiptarëve në zgjedhje tregon se ata janë tepër të vetëdijshëm se zgjedhjet e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe procesin e integrimit. Por mund të konsiderohet si problem fakti se pjesa më e madhe e të anketuarve, 25 për qind, votojnë thjesht për traditë dhe jo se zgjedhin atë palë që përfaqëson më mirë interesat e tyre, edhe pse i njohin kandidatët e zonës së tyre. “Të pyetur për arsyet e votës së tyre, 25 për qind votojnë për traditë, 21 për qind për partitë dhe 14 për qind për kryetarët e partive. Vetëm 1 për qind e publikut do të japë votën e tij në varësi të emrave të kandidatëve për deputetë, ndërkohë që 82 për qind e të anketuarve, nuk e dinë ende se çfarë sistemi elektoral vepron në Shqipëri”, - sqaroi Shabani. Sipas tij, këto të dhëna tregojnë se sistemi i ri elektoral, ai proporcional po rrit centralizimin e partive duke ulur vlerën e kandidatëve në garë. Të intervistuarit kanë përcaktuar se cilat do të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme. 83 për qind e tyre kërkojnë punësim, 55 për qind luftë kundër korrupsionit, 42 për qind luftë kundër varfërisë dhe 25 për qind zgjidhjen e çështjes së pronave. Në bazë të të dhënave, plot 69 për qind e zgjedhësve shprehen se qeveria, por dhe bashkitë e komunat, po përdorin fondet publike për fushatë elektorale. 38 për qind e drejtojnë këtë akuzë kundër Qeverisë, kurse 31 për qind kundër qeverisjes vendore. Votuesit shprehen kritikë dhe kundër deputetëve aktualë të zonës së tyre. Pjesa më e madhe e tyre pohojnë se nuk e njohin pasurinë e ligjvënësve, pra mungon transparenca për të ardhurat financiare të tyre. Një tjetër çështje e trajtuar në sondazhin e ZMQ-së është interesimi i shqiptarëve për t u pajisur me kartë identiteti. 61 për qind e të pyeturve, pjesa më e madhe e të cilëve janë mbi moshën 50 vjeç, kanë aplikuar për kartë identiteti dhe 30 për qind shprehen se do ta bëjnë këtë gjë. Një tjetër kërkesë e shqiptarëve është që partitë politike, para se të hyjnë në garë elektorale, duhet të paraqesin kabinetin e tyre qeveritar e quajtur ndryshe qeveria hije .
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›