Gazeta greke: “Shkupi pro propozimit ‘Maqedonia e Epërme’”
Gazeta greke “Elefteros Tipos” shkruan se në tryezën e negociatave për çështjen e emrit të Maqedonisë midis Athinës dhe Shkupit është ofruar propozimi “Maqedonia e Epërme”. Sipas kësaj gazete, propozimi mund të pranohet nga ana e autoriteteve të Shkupit, menjëherë pasi të formohet Qeveria e re maqedonase nga kryeministri Nikolla Gruevski. “Ky variant ishte propozuar nga lideri aktual i opozitës PASOK, Jorgos Papandreu në vitin 2002, kur ishte ministër i Jashtëm i Greqisë. Por kjo çështje nuk pati zgjidhje për shkak të krizës së konfliktit në Maqedoni”,-shkruan “Elefteros Tipos”. Sipas gazetës greke, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE që pritet sërish të formojë qeverinë e re maqedonase pas zgjedhjeve të parakohshme të 1 qershorit është i përgatitur të pranojë një emër me përmbajtje gjeografike për përdorim ndërkombëtar, por ai do të insistojë që në marrëveshje të përmendet “identiteti maqedonas” dhe “gjuha maqedonase”.
Bullgari, kamionistët në grevë kundër rritjes së çmimit të naftës
Qindra kamionistë bullgarë janë mbledhur gjatë ditës së djeshme në hyrje të 15 qyteteve të mëdha bullgare, përfshi edhe Sofjen për të protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës që sipas tyre është më i lartë se çmimet e praktikuara në BE. “Kjo është një grevë paraprake. Ne nuk duam të shkaktojmë probleme në qarkullim, por nëse qeveria nuk ndërhyn për normalizimin e çmimit të naftës protestat tona do të kenë shtrirje më të madhe. Aktualisht jemi të detyruar të blejmë karburant nga Sllovenia, ku çmimet janë më të arsyeshme”,-deklaroi Mirolb Stolarsk, bashkëpresident i Transportit automobilistik. Ministri i financave, Plamen Orecharski, premtoi gjatë një konference me përfaqësues të kamionistëve se “do të studionte praktikat europiane të rimbursimit të taksave të transportuesve dhe masa të tjera. Bullgaria është anëtare e BE-së që nga viti 2007 dhe vuri menjëherë akcizën për karburantet, çmimi i të cilave është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti.
Filipine, një burrë vret 8 veta, ndër të cilët 5 fëmijë
Një person ka vrarë me armë zjarri tetë vetë, pesë prej të cilëve fëmijë, në një fshat afër kryeqytetit të Filipineve, Manila, njofton Reuters. Pesroni që ka kryer këtë masakër mësohet të ketë qenë në gjendje të dehur dhe ka qëlluar me një armë të tipit M 16. Pas krimit burri është larguar nga vendi i krimit, por policia ka arritur ta arrestojë. Ai kishte plagosur gjithashtu edhe gjashtë vetë të tjerë.
Kinë, tri ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit
Qeveria kineze ka shpallur tri ditë zie kombëtare për dhjetëra mijëra viktimat e tërmetit që goditi të hënën e kaluar këtë vend. Ditët e zisë kanë filluar dje me mbajtjen e tre minutave heshtje në orën 14.28 me orën lokale. Në të gjithë vendin flamujt janë vendosur në gjysmë shtizë. Gjatë tri ditëve të zisë do të ndërpriten të gjitha aktivitetet e stafetës së flakës olimpike. Numri i viktimave ka arritur në 32 477.
Bin Laden akuzon krerët arabë
Kreu i rrjetit terrorist të Al Kaidës, Osama bin Laden, ka akuzuar udhëheqësit arabë se po “sakrifikojnë” palestinezët. Bin Laden u ka bërë thirrje militantëve myslimanë të ndihmojnë për thyerjen e bllokadës izraelite në Rripin e Gazës. Videoja me mesazhin e Bin Ladenit u shfaq në një faqe interneti që përdoret nga udhëheqësit e Al Kaidës.
20 Maj 2008