Si të visheni me modë në raste festash
Merita TOÇILA
Si duhet të visheni për një rast martese ose një mbrëmje, në qytet apo në fshat qoftë? Le të shohim disa prej krijimeve dhe të zgjedhim një stilim sipas dëshirës. Cilado që të jetë ceremonia në të cilën ju jeni të ftuar, do të gjeni gjithmonë veshje për shijet tuaja të krijuara nga stilistët.
Fustani për mbrëmje
Fustanet e gjatë shik, mbajnë gjithmonë vendin e parë për evenimente të tilla, por mos shpenzoni aq sa të rrënoheni. Edhe me pak shpenzime mund të gjeni një fustan të mrekullueshëm në ngjyrë blu, të kuqe, të zezë, të prerë për një siluetë elegante e të rafinuar, ose fustane bust me motive floreale në ngjyrë rozë, që shkon si për gjatë ditës, ashtu dhe për në mbrëmje, duke iu shkurtuar kohën për t`u ndërruar (darkave mund të shoqërohet me një xhaketinë të lehtë). Është më i mrekullueshëm në material fluid dhe të lehtë. Zgjidhja juaj mund të ishte edhe një fustan me printime me figurina të ndryshme, që prej kohësh kanë pushtuar dyqanet dhe duket se janë shumë të preferuar në stilin qytetas. Nuk mbeten pas as efekti grafik i fustaneve bardh e zi, sidomos kur shoqërohen me bizhu. Fustanet mund të jenë në të verdhë të fortë ose e kuqe e ndezur, shtoni dhe një rrip mesi. Darkave, një xhaketinë e zezë e plotëson pamjen. Një fustan në ngjyrë rozë të vrarë, model i viteve `30, i gjithi në mëndafsh dhe i dekoruar me temina ose rruaza, e bën secilën prej jush që të duket si një princeshë, duke iu përshtatur çdo tipi ceremonie. Përpos këtyre ka edhe shumë të tjera që zgjedhin fustane më të thjeshta në prerje, (me një gjatësi deri te gjunjtë) për t`u ndierë më të lirshme. Pëlhura është ajo që bën diferencën në modelime të tilla.
Por të mos harrojme dhe fustanet tendencë, të shoqëruar me bizhu të rënda ose taka të larta, duke krijuar një siluetë manjetike.
Pantallona shik
Ndonjëherë i anashkalojmë pantallonat për raste të tilla, por po të jenë të prera bukur, në ngjyrë të pranueshme për verën siç janë bezha, e kaltra ose e bardha dhe për më tepër, në materiale fluide. Të jeni të sigurta se do të dukeshit po aq bukur, sa edhe me një fustan të gjatë. Pantallona të tilla shkojnë me të gjitha llojet e xhaketinave verore duke iu bërë të ndiheni edhe më rehat gjatë një darke të gjatë. Materiali i preferuar për pantallonat është mëndafshi, kurse prerja më e mirë mbetet prerja e gjerë. Një rrip do të ishte gjithmonë një dekorim shumë i bukur për këto tipe pantallonash.
Xhaketa elegante
Gjatë ditës, për t`u ndier më e veshur ose kur ndjeni se bën pak freskët, mbi një fustan mund të vishni gjithmonë ndonjë xhaketë të lehtë. Modeli redingote është tepër i çmuar, sidomos në ngjyrë të kuqe, me një material të lehtë dhe me prerje të riardhur nga vitet `60. Ose fare mirë, zgjidhja juaj mund të jetë një xhaketinë me nuanca apo shkëlqim. Materiali mund të jetë mëndafsh, poliestër, lino, i përshtatshëm për stinën. Motivet janë më të thjeshtëzuara në xhaketat, për t`u lënë hapësirë fustaneve ose bluzave; Në ndonjë rast edhe bizhutë e ndryshme, varëset, byzylykët apo vathët, marrin përparësi, duke u nxjerrë më shumë në dukje, gjithmonë, pa harruar t’i kombinojmë bukur me elementet e tjerë.
20 Maj 2008