Edi Lekvukaj, i ekzekutuar nga pronari, apo i gjallë në Itali?
Një histori e zakonshme aq sa dhe e ngatërruar, e ngjashme me një skenar thriller. Që prej 25 shtatorit të vitit 2005 familja shkodrane Lekvukaj jeton me ankthin dhe dyshimin për atë që mund t’i ketë ngjarë djalit të tyre, Edit. Të qenit pjesë e një shteti të huaj dhe me statusin e emigrantit, ka qenë e vështirë për ata që të zbulojnë misterin e zhdukjes së 28-vjeçarit. Rrethanat e ngjarjes zhvillohen në një hark kohor të shkurtër, për t’u zgjatur më tej në hije e makth për plot 3 vite, atje në Bruksel… ”Njerëz të humbur” risolli në mendjen e familjarëve dhe emigrantëve shqiptarë në Belgjikë momente e situata duke sjellë sadopak shpresë për ekzistencën e tij.
Historia
Edi Lekvukaj jetonte që prej vitit 1999 së bashku me familjen e tij në lagjen “Anesenz”, Belgjikë. Ai është larguar për në punë në drejtim të qytetit të Anderletit, zona Zakbrek, e cila ndodhej rreth 3-4 km larg shtëpisë së tij, në datën 25 shtator 2005. Edi shërbente në një kafene me pronar Todisko Xhakomone nga Italia. Konkretisht djali merrej me rregullimin e ekspresëve, frigoriferëve e mjeteve te tjera elektroshtëpiake. Që në ato momente kur është larguar nga shtëpia, të afërmit e tij nuk kanë marrë më asnjë shenje jete për Edin. Pas mosparaqitjes së tij në shtëpi prej dy ditësh, prindërit janë drejtuar të shqetësuar në rajonin e policisë duke denoncuar humbjen e djalit. I pari që është marrë në pyetje nga organet hetimore ka qenë punëdhënësi i tij italian. Veprimet dhe dëshmitë që ai ka dhënë përpara familjarëve dhe policisë kanë qenë nën shenjat e nervozizmit dhe të dyshimit. Sipas Xhakomones, Edi i ishte shprehur këtij të fundit se dëshironte të largohej në drejtim të Francës e më pas në Marok ose Tunizi. Mbasi kishin kaluar dy ditë që Edi s’po jepte asnjë shenjë jete, familjarët kanë vazhduar kërkimet. Babai i tij, Nikolla, ka arritur të mësojë disa detaje nga marrja në pyetje e dëshmitarëve për çështjen e të birit. Një dëshmi tronditëse ishte pohuar nga një vajzë marokene, e cila banonte në katin e dytë, sipër kafenesë ku punonte më parë Edi. Vajza, e cila mendohet të ketë qenë ish-e dashura e Xhakomones, hidhte hije dyshimi mbi këtë të fundit duke e akuzuar drejtpërdrejt për eliminim fizik të Edi Lekvukajt. Sipas saj, pronari e kishte vrarë djalin dhe më pas trupin e tij e kishte futur në një fuçi me acid duke e hedhur më pas në një lumë në kufi me Francën. Pothuajse e bindur ajo kishte treguar se Xhakomone e kishte kryer këtë veprim edhe me persona të tjerë, duke e kthyer italianin në një vrasës serial të ngjashëm me një monstër. Të tmerruar nga dëshmia e marokenes, autoritetet belge i kanë shoqëruar për disa herë Xhakomonen dhe vajzën në polici. Fatkeqësisht hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë prova konkrete për implikimin e Xhakomones në zhdukjen e Edi Lekvukajt. Insistimi dhe pretendimet e vajzës marokene ishin ndërprerë shpejt për shkak se pronari italian i Edit e kishte kërcënuar se nëse do të hapte më gojë ai do t’i vriste djalin e saj 8-vjeçar. Nga frika e kërcënimit apo nga rrethana të tjera ajo detyrohet të largojë djalin e saj në Marok.
Verifikimet e mëtejshme të policisë nxorën në dritë momentet e fundit mes Xhakomones dhe Edit. Atë mëngjes të datës 25 shtator 2003, djali shkodran kishte shkëmbyer një sërë telefonatash me pronarin e tij. Ky i fundit ka shpjeguar se Edi i kishte kërkuar një motor borxh për t’u larguar në Francë, por Xhakomone i kishte sugjeruar që të largohej me tren. Vetëm 3-4 ditë pas humbjes Xhakomone pohonte se kishte marrë një telefonatë nga Edi, i cili i kishte thënë se ndodhej në Lile të Francës. Nga verifikimet ka rezultuar se nga ai qytet telefonata është realizuar nga një shok i Xhakomones, i quajtur Zhak Lauri, me origjinë nga Maroku. E gjitha kjo kishte qenë një alibi e ngritur nga pronari italian për të humbur gjurmët e vërteta të Edit dhe mbase për të mbuluar ndonjë të fshehtë të hidhur.
Kërkimet në “Njerëz të humbur” filluan t’i japin një tjetër drejtim historisë së mistershme të Edi Lekvukajt. Telefonues të ndryshëm natën e së shtunës dhanë informacione, sipas të cilave gjatë muajve të fundit ai ishte parë në disa qytete të ndryshme në Itali. Një dritë shprese në fundin e një tuneli të gjatë e të errët. Të bindur për karakterin e djalit të tyre, të afërmit mendojnë se vetëm një hall shumë i madh mund ta detyronte Edin të moskontaktonte me ta duke dashur të shmangin sadopak mendimet e këqija...
Plotësohet amaneti, pas 5 vitesh gjyshërit lidhen me nipin e tyre
Kishte 5 vjet që nuk e kishte parë me sy, por “Njerëz të humbur” i dha mundësinë të rilidhej me nipin e saj. Merr fund kërkimi i Dustin Haxhiut, i cili kishte humbur kontaktet me gjyshërit në shtator të vitit 2003. Një gëzim i pamasë dhe një rikthim i qetësisë shpirtërore do të karakterizonte gjendjen emocionale të Fatimes kur mori vesh të shtunën në Vizion Plus nga Aida Shtino lajmin e gjetjes së Dustinit në Gjermani. Historia e kësaj “ironie fati” filloi vite më parë me largimin e babait të Dustinit jashtë shtetit. Askush nuk e kishte menduar se largimi i tij në emigrim do të ndryshonte rrënjësisht jetën e çdokujt. Gazmendi jetonte në Gjermani prej 10 vitesh. Ai bashkëjetonte me një vajzë gjermane, e cila quhej Nancy Micksch. Pasi martohet me të ajo sjell në jetë një djalë të cilin e quajti Dustin. Gjatë kësaj kohe, Nancy, vjen dy herë në Shqipëri. Në vitin 2000 babai i djalit humb jetën si pasojë e një aksidenti në Hanovër të Gjermanisë. Kontaktet mes gjyshërve dhe Nancy-t kanë qenë të rregullta deri në muajin shtator të vitit 2003. Por ato ndërpriten pas asnjë lloj arsyeje duke vënë në dilemë ekzistencën e të dyve. Ditët ia lanë vendin javëve e këto të fundit muajve, por prej 5 vitesh ata nuk kanë as më të voglin informacion për nipin e tyre. Kërkimet intensive nga stafi i “Njerëz të humbur” në Vizion Plus kishin mundur të gjenin disa informacione të vakëta rreth vendndodhjes së djalit, por pa mundur dot t`i afroheshin më afër atyre. Korrespondentja e “Njerëz të humbur” në Gjermani ka mundur më në fund të flasë me Nancy-n dhe të gjejë vendndodhjen e saj. Blerina i ka bërë të ditur se gjyshërit i janë drejtuar “Njerëz të humbur” dhe se gazetarët të autorizuar nga ata po kërkojnë të lidhin nipin me gjyshërit e tij. Nancy jetonte së bashku me Dustin në Bradenburg an der Havel afër Berlinit. Në bazë të informacioneve të para djali është 12 vjeç, vazhdon klasën e shtatë dhe është shumë mirë me mësime. Ai merret me sport, xhudo dhe gëzon një shëndet të plotë. Dustin ka dijeni se babai i tij ka qenë shqiptar dhe se prindërit e babait jetojnë në Shqipëri, por ai nuk flet fare shqip. Nancy ka shtuar më tej se ajo ka dërguar vazhdimisht foto dhe letra të djalit në adresën e gjyshërve, por çuditërisht ato s`kanë mbërritur kurrë në Shqipëri. Falë Njerëz të Humbur gjyshërit mund t`i dërgojnë Dustinit letra, foto si dhe pako pa kurrfarë problemi. Më në fund amaneti i Gazmendit që prindërit e tij t`i qëndronin pranë djalit u plotësua, të paktën derisa jeta t`u japë mundësinë atyre të gëzojnë deri në fund me nipin.
20 Maj 2008