E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The New York Times” kundër Dritëro Agollit: “Mikroborgjezët”, poezi e dobet



David Binder

(Vijon nga numri i kaluar)

Te ky vend ekziston një tjetër problem; pamundësia për të mësuar ndonjë gjë rreth çështjeve të brendshme të udhëheqjes. Gjithashtu, është e vështirë të sigurosh informacion të dorës së parë rreth jetës së përditshme në Shqipëri. Turistët, - rreth 3000 mijë çdo vit, - shohin vetëm pjesë të vendit, pasi janë të mbikëqyrur në mënyrë të rreptë. Vizitorët kërkojnë për njerëzit e tyre të mallkuar në harresë. Historitë e të arratisurve nuk mund të jenë lehtësisht të verifikueshme.
Jetë e egër
Malet e thyera mbizotërojnë Shqipërinë dhe rreth 2/3 e vendit shtrihet në një lartësi deri në rreth 3000 këmbë. Vetëm 13 për qind e tokës është kultivuar, megjithëse po përdoren gjithnjë e më shumë, në mënyrë graduale, toka edhe nga kënetat, - ku më parë njerëzit prekeshin nga malaria në zonat bregdetare. Nëpër male rriten kudo lisa, arra, ahe, pisha dhe bredha, ndërsa në rajonet e ulëta kultivohen fiq, ullinj dhe agrume, në një klimë të bekuar.
Jeta është e egër, siç ka qenë për shumicën e shqiptarëve në shekujt e mëparshëm. Ligjërisht është përcaktuar 48 orë punë e detyrueshme në javë. Posedimi i makinave private është i panjohur. Numri i përdorimit të televizorëve po rritet gradualisht (45 mijë të tillë ishin llogaritur në vitin 1981). Por, për një vend që ka vetëm dy radio transmetues që prej vitit 1945, përmirësimi i mjeteve të komunikimit është thelbësor. Shtrirja e valëve transmetuese të Radio Tiranës, të programeve të saj në anglisht, është e qartë për dëgjuesit e këtij vendi.
Imazhi fals
Botimi i fundit i revistës qeveritare “Shqipëria e re” në gjuhën angleze tregon në fotografi një grup femrash studente, të veshura me kujdes, me fustane me lule të pikturuara, me bluza dhe funde verore, përpara hyrjes së Universitetit të Tiranës. Motrat e tyre më të reja shfaqen në të tjera fotografi, të veshura me shamia të lidhura pas qafe, grykëse të zeza, çorape të bardha dhe sandale me shirita të kuq. Një grumbull vajzash më të vogla tregohen me veshje të bardha dhe në krah disa veteranë lufte që iu varen yjet të mëdhenj me ngjyrë të kuqe. Albert Helmut, një mësues gjerman, i cili, së fundi kaloi katër javë në Shqipëri, e përshkroi gjendjen në një ese: “Stili i veshjes është relativisht modest; madje grave iu mungojnë bizhuteritë e luksit. Gjatësia e fundeve është e përcaktuar poshtë gjurit të këmbës, pasi është një normë strikte, por më parë lejoheshin edhe më të shkurtra”.
Në kontrast me të kaluarën, burrat rrallë lënë mjekra. Turistët burra me flokë të gjatë nga Perëndimi, për t’u përshtatur me mjedisin duhet t’i presin ato në berberhane sapo të arrijnë në kufi apo në Aeroportin e Tiranës.
Socrealizmi
Për të gjitha këto është bërë një poezi e dobët, e publikuar në mars nga Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në të përjavshmen “Drita”. Një pjesë e poezisë së titulluar “Anti-mikroborgjezët” bën thirrje:
Pikëllim nihilist.
Sa i përçmoj ata!
Pikëllim: Ah!
Pse nuk i bëjnë ata brekët me lulka,
me ushkur të mëndafshtë;
Pikëllim: Ah!
Shpinat tonat janë kërrusur nga kursimi, kursimi
dhe vetëm kursim;
Pikëllim: Ah!
Për një zog të pjekur në sobë me mikrovalë

Zoti Agolli vazhdon të flasë për ture nëpër botë; “nuk ka rëndësi se ku”, vilat në det dhe kozmetikën; dhe më pas denoncon hedonistët (njerëz qe jepen pas qejfeve të momentit) që i lakmojnë ata si “krijesa idiote”
Me sa duket ekziston një klasë e vogël, e re, e burokratëve që kanë arritur të sigurojnë njëfarë jete luksoze.
Gjatë qëndrimit të tij profesor Alberti ishte mahnitur nga ajo që ai e quajti “krenaria në frazat thuajse euforike të një prej progreseve teknologjike”. Ai vazhdon: “Dëshmi për këtë është mburrja që tregojnë ata me ekspozitën e përhershme të Prodhimit Industrial dhe Teknologjik Shqiptar në Tiranë, qendrat prodhuese, sukseset në eksportin e vajit dhe energjisë. Tani prodhimet e karburanteve llogariten të jenë rreth 3.5 milionë tonë në vit. Ndërmarrjet private janë në ekstrem të kufizuara. Prona private përfshin një sipërfaqe të vogël toke rreth shtëpisë së tyre, apo kafshët kryesore për nevoja shtëpiake. Për gjënë më të vogël atë mund ta blesh tek marketi i vogël, por vetëm se tavani i çmimeve përcaktohet nga shteti”, - thotë dr. Alberti. Në qytete shikon pazare, si kudo në vendet ballkanike, që dikur ishin të pushtuar nga turqit.
Deri tani Shqipëria ka qenë vend i qyteteve të vogla, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar qendrat urbane. Kryeqyteti i vendit, i cili në vitin 1939 kishte rreth 25 mijë banorë, tani ka 250 mijë. Shkodra, qyteti i dytë, është duke arritur tek 100 mijë banorë.
Shteti laik
Në vitin 1967 udhëheqja shqiptare nisi një fushatë për asgjësimin e kishave nga jeta publike, - një vend që përpara Luftës së Dytë Botërore ishte 70 për qind mysliman, 20 për qind ortodoks dhe 10 për qind katolikë romanë, - me objektivin e deklaruar për të krijuar “shtetin e parë ateist” në botë.
“Katër priftërinj françeskanë ishin djegur të gjallë në vitin e parë, dhe deri vonë në vitin 1972, një prift në Shkodër ishte ekzekutuar sepse po i bënte katekizëm një fëmije. Pjesa më e madhe e xhamive dhe kishave ishin kthyer në ndërtesa jofetare.
Profesor Alberti shkruante se në Muzeun Ateist të Shkodrës ai pa një ekspozitë fotografike që tregonte 150 xhami në rajonin e Shkodrës, përpara nisjes së fushatës për laicizmin e vendit. Por ai numëron vetëm 10 xhami që pa gjatë udhëtimit njëmujor nëpër gjithë vendin. Në fakt praktikimi i besimit është bërë në mënyrë të fshehtë në Shqipëri, ndonëse vizitorët raportojnë se shikojnë myslimanë duke u lutur në gjunjë në perëndim të diellit në zona të thella të vendit.

Shkrimi është publikuar më 11 nëntor 1984 në “The New York Times”
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albania opens its door a crack”
Autori i shkrimit është ndihmës i kryeredaktorit të “The New York Times” në degën e Uashingtonit. Ai shërbeu si korrespondent në Ballkan
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të lexoni

Gazetari amerikan: “Edhe sa vjet do ta sundojë Shqipërinë Enver Hoxha?”

Vazhdon reportazhi i David Binder për Shqipërinë komuniste të vitit 1983

Përplasja mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit për popullsinë shqiptare të Kosovës

Konfliktet me Greqinë për minoritetin në Jug të vendit dhe ekzistenca e ligjit të luftës

Sipas dokumenteve sekrete, regjimi i Enver Hoxhës ndëshkoi rreth 43 mijë persona

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›