E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet, kontroll 24 orë ARMO-s

Tatimet kanë vijuar punën normalisht duke detyruar ARMO-n që të plotësojë të gjithë dokumentacionin e duhur. Bllokimi i kompanisë së naftës rreth dy javë më parë erdhi për shkak të problemeve me dokumentet dhe mungesën e likuidimit të taksave. Për këtë shkak, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, deklaroi dje për mediat se kontrolli ndaj rafinerisë së naftës vazhdon të jetë 24 orë në 24, në mënyrë që çdo litër naftë e kësaj kompanie të taksohet sipas ligjit. Kreu i tatimeve sqaroi pozicionin e ARMO-s në raport me detyrimet tatimore dhe situatën e krijuar me bllokimin e dy uzinave në zonën e Fierit. "Kontrollet në këtë kompani e të tjera po bëhen për t‘i dhënë një stabilizim fiskal përfundimtar tregut të naftës, që për administratën tonë ka shumë rëndësi", tha Papajani. Ai komentoi edhe ndryshimin e drejtuesit të tatimeve të rajonit të Fierit ku edhe operon ARMO. Sipas tij, ndryshimet nuk kanë lidhje me këtë kompani, pasi ajo është nën administrimin e drejtorisë së tatimpaguesve të mëdhenj në Tiranë. "Në momentin që flasim them me bindjen e plotë se kompania e ARMO-s i ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore që kishte ndaj shtetit", konfirmoi dje drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave. Sipas tij, kompania e naftës nuk po derdhte detyrimet edhe pse kishin kaluar 15 ditë nga afati dhe përveç kësaj, po zbuloheshin fakte që shkelnin ligjin. "Mund t‘ju përmend një shifër që konsiderohet konfidenciale për një kompani private, që ARMO ka kryer një nivel pagese të akcizës rreth 23 për qind më shumë se viti i kaluar 2008, kur ishte pronë e shtetit", theksoi Papajani. Tatimet bllokuan ditë më parë prodhuesin e naftës ARMO, pasi nuk kishte plotësuar kushtet si një subjekt i taksës së akcizës. Konflikti me kompaninë private preku krerët më të lartë të shtetit, deri në përballje fizike mes tatimorëve dhe forcave të rendit. Veprimi i punonjësve të administratës tatimore për bllokimin e ARMO-s u vlerësua i nxituar nga ana e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Aktualisht, situata nuk ka marrë ende zgjidhje të plotë, pasi tatimet kanë planifikuar vendosjen e matësve në pikat e kalimit të karburantit, në mënyrë që kontrolli dhe llogaritja e detyrimit fiskal të jetë sa më i saktë.
a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›