Në QKUK kërkojnë ndihmë deri në 175 persona në ditë
Ngritja e madhe e temperaturave ditëve të fundit ka shtuar edhe numrin e qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë Qendrës Emergjente, por edhe në qendrat tjera familjare në Kosovë. Ndërkohë që specialistët rekomandojnë konsumimin e lëngjeve dhe shmangien e temperaturave të larta të ditës.
Specialisti i mjekësisë emergjente në Qendrën Emergjente, Adem Jaha ka thënë për Kosovapress se numri i madh të atyre që kërkojnë ndihmë në Qendrën Emergjente u janë shtuar edhe pacientë tjerë që kërkojnë ndihmë për shkak të temperaturave të larta.
“Si pasojë e ngritjes së temperaturave të larta ditëve të fundit, numri i pacientëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente është rritur lirisht mund të them se është dyfishuar. Temperaturat e larta i godasin pacientët, të cilët janë me sëmundje kronike, prandaj gjithsesi kish me qenë këshilla jonë që t’iu shmangen ekspozimit në temperatura të larta, sidomos në orët e mesditës”, ka thënë Jaha.
Jaha rekomandon që përveç shmangies së ekspozimit në temperatura të larta sa më tepër të konsumohen edhe lëngjet e ndryshme.
“Duhet konsumimi i lëngjeve sa më tepër,qëndrimi në vendet më të freskëta dhe mos ekspozimi, sidomos i moshave të vjetra dhe fëmijëve në temperatura të larta dhe në rrezet e diellit”, ka thënë ai.
Ndryshe, sipas drejtorit të Qendrës Emergjente, Basri Lenjani numri i atyre që kërkojnë ndihmë në këtë qendër është rritur 25 deri në 30 për qind, pasi që sipas tij më herët brenda një dite në këtë qendër kanë kërkuar ndihmë 110 deri në 120 qytetarë, kurse tash me ngritjen e temperaturave numër i atyre që kërkojnë ndihmë në këtë qendër brenda ditës është rritur në 150 deri në 175 persona.
Rastet më të shpeshta të atyre që kërkojnë ndihmë janë ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e zemrës.