Protestohet për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së
Komuniteti shqiptar në SHBA organizon më 18 korrik, ditë e hënë, para selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork protestë për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Në këtë protestë do të kërkohet të ndalen proceset e montuara kundër ish-ushtarëve të UÇK-së, lirimin e të burgosurve të cilët po vuajnë dënimin e tyre vetëm pse kanë qenë luftëtarë të lirisë, përshpejtimin e rigjykimit ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe të rikonfirmohet pafajësia e tyre, të bëhen veprime konkrete duke i bërë presion Serbisë për kthimin e pengjeve të luftës dhe që të arrestohen të gjithë kriminelët serb që kanë bërë krime në Kosovë dhe që sot sillen të lirë nëpër Serbi dhe Kosovë.
Protesta mbahet para selisë së OKB-së, Rruga 47- Avenyja e Parë, duke filluar prej orës 13:00 deri në ora 15:00.
Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në këtë protestë, pasi që një pjesëmarrje sa më dinjitoze, është edhe një shprehje e vendosmërisë për t’i treguar botës se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe se mbajtja nëpër burgje dhe etiketimi i luftëtarëve të lirisë është një e padrejtë e madhe që i bëhet jo vetëm atyre që dhanë gjithçka patën nga vetja, por edhe luftës dhe sakrificës sonë.