E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtojnë mbështetje për bujqësinë

Nga Express më 16 korrik 2011 në ora 19:00

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, të shtunën kanë përcjellë nga afër fushatën e korrje-shirjeve në komunën e Lipjanit, me ç’rast vizituan parcelën e mbjellë me grurë të fermerit Skënder Hyseni në fshatin Rufc i Ri. Me këtë rast kryeministri i vendit u zotua para fermerëve se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Kreu i ekzekutivi të vendit, Hashim Thaçi duke e quajtur vitin 2011 si vit të bekuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, ka thënë se ky do të jetë sezon rekord i korrje-shirjeve sa i përket sasisë, cilësisë dhe grumbullimit të grurit.

“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e sektorit të bujqësisë me mundësitë dhe kapacitetet e veta tani jemi duke bërë reforma të rëndësishme edhe në sektorin e bujqësisë dhe unë kam besim të plotë dhe zoti Stavileci do të vazhdojë të jetë shumë afër njerëzve që me të vërtetë kanë nevojë për mbështetje për krijimin e kushteve më të mira dhe që të kemi sukses të përbashkët”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, ka thënë se sivjet është rritur mbështetja financiare e Ministrisë së Bujqësisë në 3.2 milionë euro për sektorin e bujqësisë dhe ka rritje të sipërfaqes së mbështetur me pagesa direkte për 31.6 për qind dhe rritje të pagesave direkte në 100 euro për hektar të mbjellë me grurë.

“Ne jo vetëm për këtë sektor si sektor strategjik, por edhe për sektorë tjerë si sektorin e blegtorisë dhe hortikulturës, jemi duke shënuar rezultate shumë pozitive. Duhet theksuar se ky është viti që do të mbahet mend, do të thotë që nga pas lufta si asnjëherë më parë ne sivjet me atë çfarë po ndodh deri më tash, dhe në fund do të kemi edhe një raport përfundimtar. Mirëpo, ne për herë të parë do të shkojmë me mbi 70 për qind të përmbushjes së kërkesës vendore për grurë”, ka thënë Stavileci.

Fermeri Skender Hyseni është shprehur i kënaqur me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët. Ai ka bërë të ditur se rendimentet e korrje-shirjeve këtë vit janë tejet të larta.

“Rendimentet këtë vit qysh kemi filluar nga Prizreni, tash për tash jemi të shtrirë në tërë territorin e Kosovës deri në Mitrovicë mesatarja e grurit sillet prej 4 deri 4.5 tonë për hektar. Por në sektorë individual ka arritur deri 8.5 tonë e gjysmë për hektar, në ato vende që kanë qenë të mbjellë me patate vitin e kaluar ka arritur deri në 8.5 tonë rendiment për hektar”, ka thënë Hyseni.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimtaria e grurit në këtë vit pritet të jetë rreth 300 mijë tonë dhe bazuar në të dhënat e reja të Entit të Statistikave të Kosovës për numrin e popullsisë dhe në konsumin vjetor për kokë banori të miellit që është ekuivalente me rreth 205 kg grurë për person në vit, kjo prodhimtari do të arrijë t’i plotësojë mbi 70 për qind të nevojave të përgjithshme konsumuese.

Ndërkaq, MBPZHR-ja fushatën e korrje-shirjes së drithërave të bardha e ka mbështetur me gjithsej 500 mijë euro. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›