Hoxhaj: Evropa, e vetmja ide e madhe për popujt e Ballkanit

Gjatë një interviste për Deutsche Welle, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndërrimi i kufijve në Ballkan ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, dhe ka ftuar vendet e rajonit që idenë e nacionalizmit të madh ta kthejnë kah ideja e madhe evropiane.
Ministri Hoxhaj, gjatë intervistës ka folur për progresin dhe perspektivat e mëtutjeshme zhvillimore dhe integruese të Kosovës si dhe për proceset ndërkombëtare, përfshirë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Hoxhaj ka thënë se Kosova sot është një shtet shumetnik i ndërtuar mbi themelet qytetare e jo të përkatësisë kombëtare, qëllimi i së cilës është jeta e qëndrueshme dhe e sigurt në Bashkimin Evropian.
Lidhur me të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, Ministri i Jashtëm i Kosovës është shprehur i sigurt se nëse vendet e regjionit dhe elitat e tyre janë të fokusuara në punën që Bashkimi Evropian e pret nga ta, atëherë për dhjetë vjet mund të ndodhin ndryshime të mëdha.
“Nganjëherë autoritetet nënvlerësojnë mundësitë e tyre afatshkurta, ndërsa i mbivlerësojnë ato afatgjata. Mendoj se duhet të fokusohemi në atë që dëshirojmë të arrijmë në disa vjetët e ardhshëm. Të themi, për Qeverinë e Kosovës është shumë e rëndësishme që për vjetët e ardhshëm, qytetarët tanë të kenë lirinë e lëvizjes pa viza, të cilën gjë veç e kanë vendet e tjera të regjionit”, ka thënë Hoxhaj, për Deutsche Welle.
Rreth marrëdhënieve aktuale Kosovë-Serbi, Ministri Hoxhaj ka thënë se dialogu ndërmjet të dy vendeve paraqet një hap të mirë.
“Dialogu tenton të përmirësojë jetët e njerëzve, bashkëpunimin regjional si dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve. Në ndërkohë, është një instrument i mirë për ndërtimin e besimit ndërmjet të dyja elitave politike dhe të dy popujve, me qëllim të ikjes së konfliktit dhe shikimit kah e ardhmja”, ka thënë Ministri.
Sipas tij, Prishtina do të punojë për paqe, stabilitet dhe siguri në regjion në mënyrë që të përmbushet një nga qëllimet e saj, e që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Hoxhaj ka thënë se çështja e kufijve, territorit dhe sovranitetit në territorin e të dikurshmes Jugosllavi, është e zgjidhur njëherë e përgjithmonë me krijimin e shtatë shteteve.
“Mendoj që i tërë regjioni mund të mësojë diçka nga kryeministri kroat. Ai tregon se, nëse vendi dhe qeveria e tij janë të përkushtuar, atëherë për gjashtë vjet mund të përmbushen të gjitha kriteret dhe t’i ofrohet popullit një perspektiv e mirë. Njerëzit në Serbi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Shqipëri, kanë të drejtë që të presin të njëjtën gjë nga politikanët e tyre. Sot nuk është koha për tregime të reja mbi ide të mëdha nacionale. E vetmja ide e madhe të cilën të gjithë popujt e Ballkanit duhet ta kenë, është Evropa”, u shpreh Hoxhaj.