Gazetarët, kundër gjykatës për vendimin e skandalit Pango
Gazetarët shqiptarë e cilësojnë si qesharak vendimin e Agim Bendos kundër “Fiks Fare”. Gazetarët deklarojnë se gjyqtari mori në mbrojtje një rast abuzimi me detyrën, ndërsa gjobën e cilësojnë si absurde. Me këtë vendim, sipas tyre, kërkohet të goditet gazetaria investigative. Botuesi i gazetës “Albania”, Ylli Rakipi, thekson se nuk është cenuar jeta private e një individi, kur ky i fundit është ministër i kabinetit qeverisës.
“Nisur nga kjo pikëpamje, nga të gjitha kodet e etikës së gazetarisë botërore, por edhe në kodin tonë etik thuhet se kur ngjarja ka rëndësi për publikun ajo mund të ndiqet dhe të investigohet në disa mënyra”, thotë Rakipi. Ndërkohë, kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër çipa, shprehet se ky është një precedent i ri mes marrëdhënies së gjyqësorit me median shqiptare. “Kjo gjykatë ka krijuar një marrëdhënie defektoze me median, sidomos me një media kombëtare siç është “Top Channel”. Kjo është tratativë për të ushtruar presion psikologjik dhe profesional ndaj një trupe investigative”, u shpreh çipa.
Drejtori i të përditshmes “Panorama”, Andi Tela, shprehet se kjo ngjarje është “një precedent i keq për median në përgjithësi”. Ai tha se: “Gjoba është shumë e rëndë dhe të frikëson. E bën një gazetar të një emisioni investigativ, një media që ta mendojë dy herë pozicionin e saj përpara se t’i hyjë një detyre investigative. Kryeministri thotë se korrupsioni duhet luftuar me tolerancë zero dhe mund të përdoret çdo mënyrë për ta luftuar atë. Policia dhe prokuroria përdor mjetet e mundshme nga përgjimet apo infiltrimet duke marrë leje në gjykatë. Media nuk mund të marrë leje në gjykatë për të bërë përgjime”, thotë Tela.
Politikani Spartak Ngjela deklaron se media dhe gjykata janë dy krahët e domosdoshme të funksionimit të demokracisë, por që sipas tij në Shqipëri, nuk funksionojnë. “Edhe një dritare që thotë se shqiptarët nuk duhet të përshtaten me të keqen, ata duan ta ndalojnë”, thotë Ngjela.
#