Gazetarët në Turqi të pasigurt
Vrasja e një redaktori të një gazete në Turqi, i cili u vra në mes të ditës, përderisa po shkonte në shtëpi, dëshmon për rrezikun me të cilin gazetarët përballen ende në Turqi, deklaroi Asociacioni i Gazetarëve të Turqisë.
Cihan Hayirsevener, kryeredaktor i një gazete rajonale në Bandirma, në veriperëndim të Turqisë, u vra javën e kaluar nga persona të panjohur, vrasje kjo e cila i ngjason vrasjes së gazetarit turko-armen, Hrant Dink në vitin 2007. Dink u vra nga një ultranacionalist turk në Stamboll.
“Gazetarët nuk janë as të sigurt, e as të lirë”, tha Zafer Atay, Sekretar i Përgjithshëm i Asociacionit të Gazetarëve të Turqisë.
Hayirsevener është gazetari i parë që nga vrasja e Dinkut, i cili u vra për atë që ka shkruar, theksoi Atay, duke shtuar se gazetarët janë kërcënuar me vdekje, pasi që kanë shkruar për arrestimin e personave, të dyshuar për korrupsion në kuadër të një tenderi për ndërtim.
Liria e shtypit në Turqi është vënë sërish në qendër të vëmendjes, pas tendosjeve që shpërthyen vitin e kaluar mes kryeministrit të Turqisë, Rejep Tayyib Erdoganit dhe shtëpisë më të madhe mediatike në Turqi.