E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në Gazë

Bashkësia ndërkombëtare ka tradhtuar popullin e Gazës, pasi që ka dështuar që t’i jap fund bllokadës së Izraelit, me qëllim që të mundësohet rindërtimi i këtij territori, është theksuar në raportin e 16 grupeve për të drejta të njeriut, i cili u publikua sot.

Në raport u argumentua se Izraeli ka shkelur ligjet ndërkombëtare humanitare, me anë të “dënimit kolektiv” të Gazës, me ç’rast të gjithë banorët e këtij territori po dënohen, për veprat të cilat i kanë kryer vetëm disa njerëz.

Që nga përfundimi i ofensivës në Gazë, në janar të këtij viti, Izraeli ka lejuar hyrjen e vetëm 41 kamionëve me material ndërtimor në këtë territor.

“Fuqitë botërore kanë tradhtuar qytetarët e thjeshtë të Gazës”, deklaroi Jeremy Hobbs, drejtor ekzekutiv i organizatës Oxfam International.

“Këto fuqi kanë lëshuar kumtesa, por nuk kanë ndërmarrë aksion për të ndryshuar politikën dëmtuese, e cila pamundëson rindërtimin, këndelljen personale dhe rilindjen ekonomike”, shtoi ai.

Raporti u publikua pikërisht në njëvjetorin e fillimit të ofensivës së Izraelit në Gazë.
Rindërtimi i Gazës, në të cilin territor jetojnë 1.5 milionë palestinezë, është penguar nga bllokada e Izraelit, e cila pamundëson hyrjen e materialit ndërtimor në Gazë, territor ky i kontrolluar nga organizata militante palestineze, Hamas.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›