E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gazetari Baton Haxhiu arrestohet për llogari të Gjykatës së Hagës



Gazetari dhe analisti shqiptar, Baton Haxhiu, është arrestuar dje nga policia e Kosovës dhe është dërguar menjëherë në Gjykatën e Hagës për shkak të mosrespektimit të kësaj gjykate gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-luftëtarit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Siç bëhet e ditur, Baton Haxhiu ka zbuluar identitetin e një dëshmitari në një artikull të botuar në gazetën “Express” në Prishtinë në vitin 2007, gazetë e cila drejtohej prej tij. Kjo ka bërë që Gjykata e Hagës të kërkojë arrestimin e gazetarit të njohur Baton Haxhiu. Haxhiu është arrestuar dje dhe do të paraqitet nesër para trupit gjykues.
Gjykata ka bërë të ditur se Haxhiu do të deklarojë sot nëse është fajtor apo jo për akuzat e ngritura nga prokurorët e Hagës. Sipas tyre, publicisti 42-vjeçar ka publikuar emrin e një dëshmitari, identiteti i të cilit ishte fshehur nga Haga, për arsye të mbrojtjes së tij. Dëshmitari duhej të dilte para gjykatës për të dëshmuar kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ish-shefi i qeverisë kosovare u lirua nga akuzat dhe u shpall i pafajshëm në një gjyq, që sipas gjykatësve u zhvillua në një atmosferë jo të qetë për dëshmitarët. Pak javë më parë edhe ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Astrit Haraçija si dhe bashkëpunëtori i tij, Bajrush Morina, u akuzuan nga Gjykata e Hagës për frikësim të dëshmitarëve në gjyqin kundër Haradinajt.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›