E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu, thirrje OKB-së: “Jepini fund paqartësive të UNMIK-ut në Kosovë!”



Kosova tashmë është një shtet i pavarur dhe Kombet e Bashkuara duhet të qartësojnë pozicionin e misionit të tyre. Kështu është shprehur gjatë një interviste presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili me këtë rast i ka bërë thirrje sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun që të bashkëpunojë më Bashkimin Europian për të përfunduar fazën e tranzicionit më qëllim që të kapërcehet pushteti i dyfishtë. “Ne jemi përcaktuar që vërtet të kalojë shumë shpejt kjo fazë e tranzicionit dhe natyrisht misioni i ri civil ndërkombëtar dhe EULEX-i të marrin fuqinë e tyre mbi bazë të asaj që është planifikuar”. Sejdiu shtoi se “Nuk e di se sa do të jetë intensive kjo kohë, për ne është me rëndësi që vërtet të shtohet intensiteti i angazhimeve edhe në nivel të BE-së, po flasim në këtë kuadër edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që të japë udhëzime më të drejtpërdrejta për të kapërcyer këtë periudhë të mosdefinuar, do të thoja të misionit të UNMIK-ut”. Sipas presidentit Sejdiu kushtet që misioni i BE-së, EULEX të marrë pozicionin e tij në Kosovë janë pjekur. “Ne i bëjmë thirrje që të operohet sa më shpejt në përfundim të dilemave që ekzistojnë dhe natyrisht të jetë e qartë se Kosova ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj, si shtet i pavarur dhe sovran dhe në një farë mënyrë të mos hezitohet me një operim, të themi të bashkëpunimit, flas edhe me misionin Europian në këtë rast për të kryer transmisionin normal”. Presidenti i Kosovës ka theksuar rëndësinë e transformimit të kompetencave të UNMIK-ut në institucionet e shtetit të ri për të shmangur mundësinë e mosfunksionimit të plotë të misionit ndërkombëtar. Çështja e mandatit të forcave të KFOR-it lidhet në njëfarë mënyrë me karakterin e Rezolutës 1244 që njëkohësisht nënkupton një transformim të ri të rolit të tyre, është shprehur Sejdiu, i cili ka sqaruar se këto trupa pritet të garantojnë integritetin e Kosovës dhe integritetin funksional. Presidenti u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të ndërpresin qasjen negative ndaj Kosovës për të ecur në , proceset integruese europiane. Ai gjithashtu tha se BE-ja duhet të bëjë presion mbi Serbinë që ajo të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës. E një rëndësie të veçantë sipas tij është çështja e njohjes së Kosovës nga shtetet e tjera e sidomos nga vendet anëtare të BE-së. “Shteti i ri i Kosovës, Republika e Kosovës është pranuar nga shumica e Bashkimit Europian, por edhe vende të tjera nga të katër anët e globit dhe kjo siguron po ashtu një mbështetje po e quajmë edhe morale të ekzistencës sonë, të funksionimit tonë dhe të ecjes sonë të mëtejshme”.

Presidenti i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara: “Haga të mos mbyllet”

Haga duhet t’i mbajë dyert të hapura derisa të arrestohen dhe gjykohen të gjithë të të dyshuarit. Kjo ka qenë deklarata e Presidentit të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krime lufte, Fausto Pokar. Deklarata erdhi gjatë vizitës së tij treditore në Sarajevë ku është biseduar me zyrtarë vendorë të sektorit të drejtësisë lidhur me çështjet ligjore. Ai identifikoi 4 të arratisurit, që janë Radovan Karazhiç, Ratko Mladiç, ndihmësi i Karaxhiçit Stojan Zupljanin dhe ish udhëheqësi rebel kroat, Goran Haxhiç. Pokar bëri thirrje për trajnim të punonjësve të burgjeve pas ikjes nga burgu të kriminelit të dënuar të luftës Radovan Stankoviç, i cili ju iku rojeve të cilët ishin duke e shoqëruar për tek mjeku vitin e kaluar në Foça. Stankoviç ishte duke vuajtur dënimin me 20 vjet burg për dhunime dhe tortura. Ai vazhdon t’u fshihet autoriteteve.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›