E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetari Ilia u operua në Greqi

Është kthyer nga Greqia, ku ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën e gjunjëve, gazetari i emisionit "Fiks Fare", Ksenofon Ilia. Megjithëse ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme, mjekët i kanë rekomanduar atij që të rikthehet për një kontroll të dytë pas pak kohësh, prej të cilit do të vendoset edhe nëse do të ketë nevojë për një tjetër operacion, apo ai do të fillojë të ecë pa ndihmën e patericave. Mjekët grekë i kanë vendosur gazetarit disa proteza metalike në pjesën e gjunjëve dhe si rrjedhim i trajtimit mjekësor, gjuri i djathtë është pothuajse i rikuperuar.

Ilia u dëmtua në të dyja këmbët, ndërsa po përpiqej t‘i merrte një prononcim gjyqtarit të Gjykatës së Matit, Murat Lleshi, lidhur me pengimin që po i bën ndërtimit të urës së fshatit Urakë. Gjyqtari, duke dashur t‘i fshihet gazetarit, e ka tërhequr atë zvarrë, teksa është larguar me furgonin e të vëllait. Shoqatat e gazetarëve, por edhe ato të të drejtave të njeriut, e dënuan veprimin e gjyqtarit Lleshi. Ndërsa ministri i Drejtësisë urdhëroi inspektimin e përgjithshëm të kontrollonte veprimtarinë e gjyqtarit Lleshi. Gjithsesi, megjithëse ka kaluar rreth 1 muaj nga kjo ngjarje, asgjë konkrete nuk është njoftuar nga institucionet përgjegjëse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›