Gazetari amerikan: Ju rrëfej kultin e Stalinit dhe urrejtjen ndaj Perëndimit
Vazhdon reportazhi i korrespondentit të “The New York Times” . Detaje nga qëndrimi 1-javor në Tiranë, gjendja e rrënuar ekonomike
Harrison E. Salisbury
TIRANË - Për pjesën më të madhe të shqiptarëve, Bashkimi Sovjetik nënkupton Stalinin. Këtu, Stalini është personi më i nderuar. Fjalët e tij janë të shkruara në muret e hidrocentralit afër Tiranës. Ato janë të shkruara në një tabelë me ngjyrë të kuqe në muret e Muzeut Shtetëror Shqiptar. Emrin e tij e kanë marrë fabrikat industriale më të mëdha në të gjithë vendin, siç është fabrika e tekstileve “Stalin”, e ndërtuar nga rusët. Statuja e tij prej bronzi stolis sheshin qendror të Tiranës dhe bulevardin kryesor të qytetit. Në barakat e fshatarëve në male, në zyrat e drejtuesve të ndërmarrjeve dhe në shëtitoret e bukura të qyteteve përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut, portretet dhe bustet e Stalinit janë vënë kudo, në çdo shesh, në shenjë nderimi. Mbase edhe vetë Stalini do të ndihej i neveritur nga e gjithë kjo sjellje admiruese. Asnjë fjalë kritike ndaj Stalinit nuk dëgjova gjatë gjithë javës nga shqiptarët. Ata janë krenarë nëse u thua “stalinistë”. Biseda të pafundme për Stalinin bëhen në mënyrë që të zbrazen; me sy të zemëruar dhe një ngritje supesh.
Zyrtarët drejtojnë punët e tyre me të njëjtën burokraci të ngushtë, me metodat policore, dyshues dhe ksenofobë, si në ditët e këqija të diktaturës ruse. 5 marsi i vitit 1953, dita e vdekjes së Stalinit, është një datë që duket se nuk është shënuar në kalendarin e shqiptarëve. Në të vërtetë, Shqipëria nuk duket si një koloni e dikurshme e Perandorisë Romake që akoma u reziston në mënyrë të pavetëdijshme dhe të pabesueshme barbarëve që i kanë mësyer kalatë e saj. Që kur u tërhoq Perëndimi pas “luftës së ftohtë”, Shqipëria ndoqi taktikat e distancimit me Perëndimin, duke mbajtur sytë dhe veshët nga Moska.
Ishte një mendjemadhësi e tepruar e çdo shqiptari, me të cilët korrespondenti bisedonte, pasi thonin se vendi i tyre rrethohej ngado prej armiqve dhe se Perëndimi rri në pritje në kufi dhe, madje, i gatshëm për ta goditur. Por, sipas tyre, ata përmbahen vetëm nga vigjilenca e ushtrisë së armatosur shqiptare dhe fuqia e Bashkimit Sovjetik.
Po ashtu, ka një shqetësim të tillë të ngjashëm edhe përsa u përket armiqve të brendshëm. Mesa duket, askund nuk përjashtohet mundësia e luftës pasi kudo të zë syri shumë ushtarë që mbajnë mbi supe armët, veçanërisht gjatë muzgut të mbrëmjes, ku nisin shërbimin ushtarak të vetmuar për të ndaluar arratisjet përmes malesh.
Shqiptarët fajësojnë SHBA-të
Për shumë prej shqetësimeve të tij dhe problemeve në rritje, ai (shqiptari) fajëson drejtpërdrejt dhe akuzon Shtetet e Bashkuara. Ai jeton në një botë që i duket atij se është e populluar më së shumti nga armiq dhe që më të rrezikshmit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa politika zyrtare tani është e përmbajtur në shprehjet e saj, pjesa më e madhe e urrejtjes është e drejtuar kundër Jugosllavisë, falë ndikimit prej luftës civile, që në një farë mënyre e shqetësoi rreth 8 vjet, duke luftuar dhëmb për dhëmb në malet që janë në kufirin midis dy vendeve. Greqia dhe Italia, të identifikuar për një kohë të gjatë në propagandën shqiptare si aleatë të Jugosllavisë si komplotistë për të përmbysur Shqipërinë, janë në listën e më të papëlqyerve prej shqiptarëve. Mbase, një në 6 ose në 7 burra është nën uniformë.
Gjendja e rënduar ekonomike
Fatkeqësisht, këto përpjekje të pashpresa të Shqipërisë për të luftuar gjendjen e rëndë ekonomike u trashëguan që nga koha e Mbretit Zog. Standardi i jetesës ishte përmirësuar, por pushteti komunist kishte qenë i detyruar për t’iu nënshtruar plotësisht ekonomikisht dhe politikisht Bashkimit Sovjetik për të mbijetuar. Megjithëse ndihma ekonomike ruse i ka dhënë mbështetje Shqipërisë, sërish kjo ka mbetur një çështje e hapur. Vendi është 99 për qind bujqësor dhe rural në kohën që u gllabërua nga pushteti komunist. Lindshmëria ishte në nivele të larta. Në përqindje të lartë është edhe niveli i vdekshmërisë. Analfabetizmi ishte në masën 85 për qind. Kishte vetëm pak koncesione të huaja në sektorin minerar. Mbreti Zog ishte pronari më i madh i tokave dhe një eksportues i produkteve ushqimore.
Industritë përkrahen nga rusët
Si në të gjitha vendet e Europës Lindore, ndihma ekonomike ruse u prir drejt industrializimit dhe kolektivizimit të bujqësisë. Kishte një arsye thelbësore të mendohej se politika po përqendrohej në mbështetjen e prodhimit dhe përfitimit të fshatarësisë private dhe komuniteteve fisnore, që kishin kushtet e jetesës më të mira sesa populli shqiptar. Që këto kushte ishin përmirësuar, kjo ishte e dukshme tashmë. Nga të dhënat kishte një dyfishim të nivelit të rritjes së popullsisë. Sëmundjet e shumta kishin reduktuar numrin e popullsisë. Pleshtat dhe çimkat luftoheshin në mënyrë të pamëshirshme me vajguri dhe të tjera insekticide. Në kontrast me shumë nga bashkëmoshatarët e tyre, shumica e fëmijëve dukeshin të shëndetshëm, megjithëse disa në male dukeshin të rrezikuar nga insektet.
Zemërimi kundër Perëndimit
Por ka një rrugë të gjatë për të ecur. Shumica e shqiptarëve janë të varfër dhe të izoluar për t’ia dalë mbanë realitetit ekzistues. Për shkak të mungesës së bukës për një kohë të gjatë, shumë shqiptarë kanë urrejtje dhe zemërim kundër “Perëndimit”, një koncept i turbullt që u përqafua nga Mbreti Zog, pushtuesit italianë dhe drejtuesit e Shteteve të Bashkuara. Ndoshta zemërimi më i madh është rezervuar për ata që klasifikoheshin si tradhtarë. Pjesa më e madhe e tradhtarëve që urreheshin janë “mbeturina” të luftës revolucionare kundër klasës së vockël borgjeze. “Kjo klasë nuk kishte ndonjë meritë”, - theksonte gruaja e drejtorit të Muzeut Kombëtar, sipas së cilës, ata kishin dështuar për të ngritur industrinë. “Borgjezia në vendet e tjera ndërton industrinë dhe ndihmon revolucionin”, - thotë një ish-luftëtar partizan. Sipas tij, “borgjezia shqiptare nuk e ka bërë një gjë të tillë”. Muzeu Shtetëror uzurpoi një ndërtesë, e cila ishte përdorur për strehimin e xhandarmërisë italiane. Brenda saj ishin torturuar për vdekje shumë nga komunistët. Dokumentet dhe fotografitë tregojnë në detaje se ata janë të kujdesshëm për ruajtjen e tyre në mënyrë që të bëhet lartësimi moral i qytetarëve. Teksa drejtori fliste për dështimin e borgjezisë shqiptare në ngritjen e industrive në vend, sytë e tij mbeten tek një koleksion dokumentesh që dëshmonin torturat. Mendimet e tij nuk ishin të vështira për t’u lexuar.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 9 shtator 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së dielës do të lexoni:
Gazetari amerikan Harrison E. Salisbury realizon një intervistë me kryeministrin Mehmet Shehu në Tiranë
Takimi në zyrën e drejtuesit të lartë të regjimit komunist dhe pikëpamjet për marrëdhëniet me SHBA-të
Si u akuzuan amerikanët për mosmbështetje dhe marrëdhëniet që Shqipëria ka me Moskën zyrtare
Për të gjitha këto, na ndiqni në numrin pasardhës
16 Shkurt 2008