E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse preken shqiptarët nga tumoret, 2800 vdekje në vit

Emanuela Sako

Shkaktarët kryesorë të tumoreve janë të pranishëm në jetën e përditshme, por jo të pashmangshëm. Faktorët ambientalë dhe ndryshimi i jetesës në vitet e fundit ka bërë që tumoret të shtohen në krahasim me vitet ‘90. Rreth 2800 persona në vit vdesin nga kjo sëmundje, ndërkohë që raste të të prekurve janë 3500 deri në 4000 femra dhe meshkuj. Shefi i Shërbimit të Onkologjisë, Agim Sallaku, sqaron për gazetën “Albania” se ndonjëherë shkaktarë të sëmundjes bëhen vetë personat, pasi konsumimi i alkoolit dhe duhanit është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shtimin e rasteve. Kanceri i mushkërive është më i përhapuri te meshkujt, ndërsa te femrat është kanceri i gjirit.
Shkaktarët
Mjeku Sallaku rendit si shkaktarë kryesorë të formimit të tumoreve konsumimin e duhanit, që njihet si një nga faktorët kryesorë për shfaqjen e tumoreve në mushkri. Po kështu, konsumimi i tepërt i alkoolit ka një ndikim tepër negativ në organizëm dhe prek stomakun. Ndryshimi stilit të jetesës në ushqyerje bëhet shkak për shtimin e sëmundjes. Sipas specialistëve, qytetarët e kanë shtuar ushqyerjen me mish dhe përdorimin më të paktë të zarzavateve. Përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri dhe ndërtim, bën që punonjësit e pambrojtur të jenë më të prirë ndaj prekjes nga tumoret. Rrezikshmëri shfaqin edhe elementët toksikë te ushqimet për shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë. Ka një sërë faktorësh natyrorë që shfaqin rrezikshmëri të lartë, siç është rritja e intensitetit të rrezatimit ultraviolet për shkak të hollimit të shtresës së kozmosit, i cili shkakton kancerin e lëkurës. Ndotja e ambientit nga tymi i makinave shfaq efekte negative te të gjithë personat. Mjeku Sallaku shpjegoi se një ndër shkaktarët e përhapjes së sëmundjes së kancerit është edhe mbipesha, apo lëvizja me makinë e personave, ku shumica e qytetarëve nuk lëvizin më këmbë dhe nuk bëjnë një jetë aktive.
Niveli i lartë i hormoneve sjell menopauzë të shpejtë te gratë dhe tumor të qafës së mitrës. Përdorimi i medikamenteve të shumta dhe të pakontrolluara apo drogave bëjnë që organizmi të mos jetë rezistent ndaj kancerit.
Tumori te fëmijët
Edhe fëmijët nuk bëjnë përjashtim nga prekja e tumoreve. Shkaktarët e lartpërmendur nuk mund të mos përfshijnë edhe këtë kategori të re të shoqërisë. Një ndër shkaktarët e formimit të tumoreve te fëmijët është trashëgimia, pasi prindërit mund të kenë abuzuar me alkool, drogë etj. Më problematike te fëmijët është leucemia, ku baza është trashëgimia dhe ndotjet radioaktive. Shkaktarët natyrorë apo ata shkaktarë që prindërit i neglizhojnë bëjnë që fëmijët e tyre të mund të preken nga sëmundja. Specialistët theksojnë se moshat më të prekura nga tumoret janë 45 deri në 50 vjeç. Kjo pasi tumori, që të formohet, do një kohë të gjatë.
Parandalimi
Shefi i Shërbimit të Onkologjisë, Agim Sallaku, jep disa mundësi për parandalimin e tumoreve. Sipas tij, duhet të mos konsumohet alkool në masë, si dhe të ndalohet pirja e duhanit.
Qytetarët duhet të bëjnë një jetë aktive, duke shtuar lëvizjen më këmbë apo të frekuentojnë palestrën. Si fëmijët ashtu edhe të rriturit të ushqehen më tepër me zarzavate, sesa me produktet e tepërta të mishit. Meshkujt, pas moshës 50-vjeçare, duhet t’i nënshtrohen kontrollit më të shpeshtë të prostatës. Ndërsa gratë mbi moshën 45-vjeçare duhet të kryejnë vizitë te gjinekologu dhe të bëjnë kontrollin nëpërmjet Mamografisë. Gratë që lindin më tepër fëmijë janë më të mbrojtura nga tumoret.

Abortet, kontraceptivë falas për të ulur numrin

Për të shmangur abortet dhe lindjet e padëshiruara është hartuar një program nga Ministria e Shëndetësisë, i cili do të aplikohet në të gjitha maternitetet dhe poliklinikat e vendit.
Abortet dhe shtatzënitë e padëshiruara duhet të parandalohen vetëm përmes metodave kontraceptive, moderne që janë më efektive (pilula, depoprovera, diapozitiv intrauterin, kondom). Qëllimi kryesor është parandalimi i aborteve të përsëritura dhe lindjeve të padëshiruara. Kontraceptivë falas do të jepen për çiftet në konsultoret e gruas në qytete dhe qendra shëndetësore në komuna. Ndërprerja e shtatzënisë vazhdon të jetë në nivele të larta, 1 në 5 lindje të gjalla.
Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë urdhëresa që detyrojnë çdo klinikë private apo shtetërore të raportojnë abortet e kryera. Në këtë mënyrë, ministria do të jetë e informuar për të gjitha abortet e kryera dhe për të verifikuar shkeljet, pasi çdo pacient do të ketë kartelën personale.
Në kuadër të forcimit të shërbimit ambulator do të trajnohen mjekët në poliklinika për të realizuar teknikisht vendosjen e diapozitivit intrauterin, që deri më sot realizohet vetëm në maternitete. Kështu, në vitin 2010, Ministria e Shëndetësisë do të kontribuojë 100 për qind financiarisht për blerjen e kontraceptivëve në sektorin publik.
Aborti është legalizuar në vitin 1995, për të parandaluar komplikacionet fatale që lidheshin me kryerjen e abortit. Ligji mbi ndërprerjen e shtatzënisë, në 1995-n, lejon abortin me kërkesë të gruas, ose për shkak të problemeve mendore apo sociale, deri në 12 javë pas ditës së konceptimit. Aborti duhet kryer nga një mjek, si në institucionet shëndetësore publike, ashtu edhe në ato private. Ndërprerjet e shtatzënisë për të shpëtuar jetën e nënës apo për arsye shëndetësore, si dhe kur ka dëmtime të fetusit, mund të kryhen në çdo kohë gjatë periudhës së shtatzënisë, por të aprovuara nga një komision prej tre mjekësh. Gjithashtu, ndërprerjet e shtatzënisë për arsye sociale ose pas një sulmi seksual, në rast përdhunimi, lejohen deri në 22 javë nga dita e supozuar e konceptimit, por të aprovuara nga një komision i përbërë nga tre specialistë (një mjek, një punonjës social dhe një avokat). Këshillimi me mjekun është i detyrueshëm.

Vdekshmëria foshnjore dhe amtare, e lartë në raport me BE-në

Vdekshmëria foshnjore dhe amtare në vend, edhe pse në ulje, mbetet ende larg shifrave të vendeve europiane. Ministria e Shëndetësisë sqaron se vdekshmëria foshnjore mbetet një nga problemet kryesore të shëndetësisë në Shqipëri. Vihet re një tendencë e zvogëlimit të vdekshmërisë foshnjore, ku vdekjet e fëmijëve 0-1 vjeç variojnë nga 41.5 vdekje për 1 mijë lindje gjallë në 1990-n, në 13 vdekje për 1 mijë lindje gjallë në 2007-n. Megjithatë, mbetet larg shifrave të vendeve të Bashkimit Europian. Në rrethet e zonave verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe, Mirditë, kjo vdekshmëri është dy herë më e lartë. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit si Tirana dhe Elbasani. Ndërkohë që vdekja e nënës është zvogëluar dukshëm gjatë këtyre viteve të fundit. Megjithatë, shifra prej 16.7 për 100 mijë lindje të gjalla mbetet e lartë krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Në bazë të statistikave të kryera nga ky institucion, rreth 93 % e lindjeve ndodhin në institucionet shëndetësore, ndërsa 7% e lindjeve janë në shtëpi, ku mendohet se të tilla lindje krijojnë më tepër komplikacione dhe vështirësi për nënën dhe foshnjën.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›