E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëmbytet 44-vjeçari, gjendet në lumin e Vjosës

FIER - Një 44-vjeçar nga rrethi i Fierit u gjet i mbytur në ujërat e lumit Vjosë rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Sipas dyshimeve të para të policisë, flitet për një vetëvrasje. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se “trupi i pajetë i shtetasit Sami Troka, 44 vjeç, me arsim të lartë dhe banues në fshatin Frakull, u gjet në lumin Vjosë, që kalon te ura e Mifolit, kufiri ndarës mes Fierit dhe Vlorës”. Të njëjtat burime thanë se grupi hetimor që shkoi në vendngjarje po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Nga dëshmitë e marra del se prej kohësh Troka ka qenë në një gjendje të vështirë psikologjike, gjë që mund ta ketë shtyrë për të marrë vendimin fatal të mbytjes në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Ndalohet zyrtari i komunës, falsifikoi diplomën

PEQIN - Policia e Peqinit ndaloi ditën e enjte një zyrtar të komunës Shezë, i cili akuzohet se ka përdorur një diplomë false me qëllim përfitimi. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se “38-vjeçari Fatos Tabaku, lindur dhe banues në fshatin Shezë të Rrethit të Peqinit, me detyrë sekretar i këshillit të komunës Shezë në Nënprefekturën e Peqinit, u ndalua nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve shtetërore”. Sipas të njëjtit burim, nga hetimet e deritanishme rezulton se 38-vjeçari ka përdorur një diplomë false të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Dega Cikli i Ulët, me numër EU- 18-257, tashmë e bllokuar në cilësinë e provës materiale. Po dje në Pukë është ndaluar një shtetas i shpallur në kërkim nga Drejtësia për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Sipas të dhënave zyrtare, shtetasi Gjelosh Kola u ndalua pasi ishte dënuar me një vit burgim nga Gjykata e Pukës për falsifikim të dokumenteve të gjendjes civile.

Ndalohet 47-vjeçari, në kërkim i biri për dhunimin e një personi

ELBASAN - Një 47-vjeçar nga Cërriku u ndalua të premten në mëngjes nga policia e Elbasanit, pasi në bashkëpunim me djalin e tij akuzohen të kenë dhunuar për motive të dobëta një bashkëqytetarin e tyre. Burime zyrtare të policisë thanë se, “Nderim Xhelo, 47 vjeç, lindur dhe banues në Cërrik, u ndalua rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje".Të njëjtat burime thanë se 47-vjeçari, së bashku me djalin e tij, Glisjenin, 21 vjeç, kanë dhunuar katër ditë më parë shtetasin Ardian Skora. Ky i fundit ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Elbasanit, në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa babë e bir u shpallën persona në kërkim nën akuzën 'plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim'. Policia bëri të ditur se vazhdon puna për kapjen e 21-vjeçarit.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›