Revolucionarizimi i kulturës në Veri të Shqipërisë
Gazeta rrëfen se si u ngritën qendrat kulturore në zonat e thella të Veriut. Organizimi i festivaleve dhe hapja e bibliotekave në Malësinë e Mbishkodrës
Speciale nga Mbishkodra
Kur dolën në qafën e Pejës, ndërmjet Shënikut e Jezercës, Deda me Nikën, ndigjuan piskamën: - Ooo Ded Marashi! A jeni kah delni për festë more hej...! –Më gjet zani i Ndue Colit - i tha Deda Nikës - ay paska mrrijtë para nesh. Dhe shtoi: Apo i gjegje ti, a unë? I riu Nik Deda s’u mat gjatë. Shtini gishtat ndër veshë dhe tue u sjellë për kah pllajat e Bregut të lumit, vikati: - Ooo ja mrritëm more, ja mërritëm! E mbas dy orëve Ded Marashi e Nik Deda, u falën krye më krye me Ndue Colin e shokë: - A jeni si jeni burra! Për çudi qenë mbledhë rreth 70 burra e të rinj, përveç grave, të rejave dhe fëmijëve. Dëbora që kishte kaluar gjysmë metri, nuk pengoi Nën-Mavriqasit, Vuksanasit e as malësorët e Bigës së Gimajve. Të gjithë u mblodhën për të kremtuar festën e shpalljes së Republikës. Përveç muzikës që jepte gramafoni dhe radio, të cilën këtë mot e panë për herë të parë malësorët, grupet artistike dhanë një program të pasur. Komunisti Preng Kola prej Abatit, me çifteli këndoi këngën e Partisë. I riu Kol Dema, me ndjesi shprehu, me melodinë e lahutës, trimërinë e kreshnikut Bajram Curri. Dhe rapsodi Nik Zefi ia tha këngës së Enver Hoxhës. Përveç mjeshtrit të gjethit, Kol Marku, që mori shumë melodi të malit e të fushës, të pranishmit u kënaqën me vallet e bukura “Vallja e heshtun” dhe ato të “Logut të zanave”. Si festa e Republikës kremtohen dhe shumë festa të tjera në emrën e alpeve tona. Kështu u kremtuan festat e mëdha të nandorit dhe ajo e Vitit të Ri. Bashkë me organizatën e Partisë, këshillat popullorë dhe organizatat e masave, shtëpia popullore e leximit lot një rol të madh në organizimin e tyne. Por ajo, përveç ditëve të festave, zhvillon aktivitet të përditshëm artistik e kultural për malësorët. Shtëpia popullore e leximit u ngrit në shkurt 1955. Atëherë malësorët nuk shkonin atje, sepse s’ia dinin vlerën. Për këtë, përgjegjësi i sallës, Prenk Sokoli, herë-herë mërzitej. Mirëpo, kur nisën të mësonin programin e saj, malësorët lidhën miqësi me të dhe me Prenkën. Në fillim, ata u tërhoqën prej muzikës, që e duan shumë. Kur Pjetri afroi instrumentistët, këngëtarët e valltarët, i organizoi këta dhe punoi programe për argëtimin e popullit, shtëpia e kulturës, siç e quajnë ata, u bë më e dashur. Tani, malësorët e ndjejnë të nevojshme të shkojnë në sallën e leximit. Atje gjejnë argëtim dhe edukim. Shohin shfaqje artistike, dëgjojnë biseda, informacione e konferenca politike, kulturale dhe shoqërore, lexojnë libra kolektivisht dhe marrin prej tyre nga biblioteka për t’i lexuar në shtëpi. Kjo shtëpi zhvillon aktivitet të gjerë. Ka dy orkestrina popullore me 14 veta. Në këto përfshihen instrumentistët me lahutë, çifteli, zumare e fyej. Në grupet e këngëtarëve dhe të valleve marrin pjesë më shumë se 35 veta. Këto grupe japin shfaqje për popullin në qendër dhe në fshatra të lokalitetit, çdo të diel dhe shpesh dy herë në javë, duke përjashtuar ditët e festave. Një punë e mirë është bërë për zbulimin e talenteve dhe zhvillimin e tyre. Kështu, u janë shtuar grupeve artistike edhe disa amatorë, si: i riu Gjolesh Vata me fyell, këngëtarët Nik Deda nga Thethi e Kol Gjoni. Pa përmendur recensionet e leximet kolektive, gjatë vitit 1956 janë marrë e lexue nga miqtë e librit 172 romane e libra të tjera si Drejt bregut të Ri, Për bukën e gojës, Buka, Migjeni, Bazat e Blegtorisë, Pjekuria, Çlirimtarët etj. Dallohen për frekuentim të mirë Lulosh Sokoli, Gjon Ndrethi, Pal Ndou. Miqtë e librit dita-ditës shtohen. Lëvizjen e tyre e shtoi konkursi për distinktivin e mikut të librit, që e drejton BRPSH. I riu Ndue Gjoka i ka plotësuar të gjitha kushtet për të merituar këtë distinktivë. Shembullin e tij po e ndjekin edhe Lazër Pali, Prenda Lulashi e Shkurte Rushitja. Nën drejtimin e kësaj salle punojnë 35 grupe leximi në të gjitha fshatrat e lokalitetit që udhëhiqen nga aktivistët më të mirë. Pranë bibliotekës është ngritur dhe punon mirë grupi i lektorëve, i përbërë prej 12 vetash: arsimtarë, punonjës të shëndetësisë etj. Shtëpia popullore e leximit punon edhe në drejtim të përhapjes të të resë në fshat, duke luftuar besëtytnitë dhe zakonet prapanike. Në periudhën e dimrit që është e përshtatshme, këshilli i shtëpisë ka marrë masa që të dendësojë punën, sidomos në forma ambulante, duke përshkuar fshatrat e Dukagjinit. Malësorët falënderojnë me zemër Partinë e pushtetin, që tregojnë kujdes për argëtimin, edukimin e përhapjen e kulturës edhe ndër malet e thepisura të alpeve tona.
Shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi” më datë 9 shkurt 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
16 Shkurt 2008