Shkrumbohet shtëpia e Shefqet Bej Vërlacit, e ndërtuar në vitet ‘30
ELBASAN – Një ndër banesat më të vjetra, por me një domethënie në qytetin e Elbasanit, është shkrumbuar. Dyshimet e para janë hedhur për një zjarrvënie nga pakujdesia e të miturve. Flakët e zjarrit kanë djegur një banesë dykatëshe të braktisur në qytetin e Elbasanit, e cila njihet si pronë e Shefqet Bej Vërlacit, politikan dhe pushtetar i njohur në kohën e Mbretit Zog. Burime nga vendngjarja thanë se zjarri ra rreth orës 15:00 të mesditës së djeshme në banesën dykatëshe, e ndërtuar në vitet ‘30 nga familja Vërlaci, por aktualisht në gjendje të amortizuar. Në vendngjarje mbërritën në kohë tri makina zjarrfikëse, të cilat mundën të lokalizojnë brenda një kohe rekord flakët që rrezikonin përhapjen në banesat që ndodheshin pranë. Paraprakisht grupi hetimor mendon se shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë pakujdesia e disa fëmijëve, të cilët e përdornin si një vend loje banesën e braktisur. Burimet thanë se hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë.
Shkojnë për të gjuajtur, plagosin pa dashje një 36-vjeçar
BERAT - Kanë shkuar për të gjuajtur në një ullishte, por në vend të gjahut kanë plagosur pa dashje një shtetas nga fshati Tozhan i Komunës Tërpan. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të paradites së djeshme, kur shtetasi Denis Dyrmishi, së bashku me shtetasin Eqerem Koçiu, që të dy nga qyteti i Beratit, teksa kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu automatike me Nr.351077 në fshatin Fushë-Peshtan të Komunës Vertop në ullishten që ndodhet në vendin e quajtur “Lapidari”, kanë plagosur rëndë një person. Pasi janë futur në ullishte, të dy shokët gjahtarë kanë dashur të qëllojnë një tufë zogjsh, por pa e ditur se prapa një ferre ndodhej shtetasi Hajri Nazo, 36 vjeç, banues në fshatin Tozhan të Komunës Terpan. Burimet pohojnë se saçmet e çiftes e kanë plagosur atë në fytyrë. Ka qenë klithma e të plagosurit lehtë në ballë që të kuptohej se pre e gjahut nuk ishin zogjtë por personi i rastësishëm. Pas plagosjes, shtetasi Hajro Nazo është shoqëruar menjëherë për në Spitalin Rajonal të qytetit të Beratit. Pas ndihmës së parë, ai është larguar për në banesën e tij dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimit të ngjarjes, policia filloi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Denis Dyrmishi. Brenda harkut kohor prej një jave, rasti i djeshëm i plagosjes pa dashje me armë gjahu është i dyti pas atij të ndodhur pak ditë më parë në kurorën e ullishtes së qytetit të Beratit.
16 Shkurt 2008