Argumentet shkencore pro Kosovës në GJND
Për dhjetë ditë radhazi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë zhvilloi seancën dëgjimore rreth aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë seancë të 15 anëtarët e kësaj gjykate dëgjuan argumentet pro dhe kundër pavarësisë të parashtruara nga autoritetet kosovare dhe ato serbe. Në ndihmë të argumentit pro folën dhe paraqitën qëndrimet e tyre 14 vende, midis të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Franca, Shqipëria etj. Ndërsa Rusia dhe Kina ishin vënë së bashku me 10 vende të tjera në krah të Serbisë dhe kundër vullnetit të shqiptarëve në Kosovë për të qenë të lirë, sovranë e zot në shtëpinë e tyre. Në këtë radhë anti-shqiptarësh vinte gjithashtu një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, Spanja.
Gjatë deklarimeve në Hagë është vënë re se vendet pro Kosovës kanë paraqitur më shumë argumente, duke e justifikuar plotësisht aktin e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë vendet që kanë dëshmuar kundër kanë thënë se “Kosova nuk ishte koloni”, se “shqiptarët nuk kanë qenë të shtypur e të dhunuar”, se … Ekspertë të shumtë kanë debatuar rreth këtij procesi dhe më të shumtët prej tyre kanë dhënë mendimin e prerë në ndihmë të opsionit tashmë të përfunduar të pavarësimit të vendit. Gjykatësit e kësaj gjykate kanë dëgjuar me vëmendje dhe kanë marrë shënim ato që janë dëshmuar. Pra, në vëmendjen e këtyre gjyqtarëve janë vënë qartazi shkaqet, të cilat kanë çuar në vendimin e institucioneve demokratike të Prishtinës për shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ndër argumentet më të rëndësishëm, të cilat ia kanë paraqitur vendet e interesuara mund të rendisim: 1) Kosova ka qenë një vend i pushtuar. Ajo është venë nën pushtimin serb me dekret të veçantë të mbretërisë serbe në shtatorin e vitit 1913. 2) Kosova ka qenë një vend koloni e Serbisë. Madje më tepër se koloni, një vend popullsia e të cilit është masakruar, është vrarë dhe është shpërngulur disa herë gjatë shekullit të XX. Fushatat policore e ushtarake kundër shqiptarëve shumicë në Kosovë janë të pashembullta në historinë e kombeve. Më së fundi ajo ishte nën dhunën e pashembullt të regjimit të Milosheviçit. Shqiptarët iu nënshtruan masave gjenocidale dhe represionit të egër çnjerëzor. Një popull në shpërngulje totale, rrethuar në kampe shfarosëse, me dhjetëra mijë të masakruar, një eksod biblik, që ka tronditur botën e qytetëruar. 3) Kosova ka pasur në periudhën 10-15 vjeçare (1974-1989) autonomi të zgjeruar, madje statusin e një shteti pjesë e federatës jugosllave. 4) Kosova ka pasur prej vitit 1990 e deri sa u çlirua, më 1999, institucionet e saj të pavarura e paralele, të cilat janë dëshmi e aftësisë për qeverisje dhe e vullnetit për pavarësi të popullsisë së saj. 5) Kosova ka qenë nën administrimin ndërkombëtar, një protektorat i OKB-së, kohë në të cilën ka dëshmuar gjithashtu aftësinë dhe vullnetin e saj për të ndërtuar shtetin e pavarur, të lirë e demokratik. 6) Kosova ka dëshmuar se i përmbahet të gjitha akteve ndërkombëtare të shtetësisë. 7) Kosova ka respektuar me tolerancë të gjitha etapat e zhvillimit të bisedimeve me Serbinë për statusin e saj, bisedime të cilat ishin parashikuar me anën e Rezolutës së OKB-së 1244. Madje pavarësia e saj ishte produkt e projektit të Rambujesë, projekt i rekomanduar për zbatim në rezolutën 1244.
Seria e argumenteve pro mund të shkojë në 700 ose 7000, ndërkohë që “argumentet” kundër janë thjesht retorikë politike e tipit Tadiq-Jeremiq. Nisur nga argumentet pro pritet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të japë opinionin e saj pro aktit të shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri në botë. Ky opinion është i lidhur në radhë të parë me faktorët dhe me rrethanat historike në të cilat janë zhvilluar ngjarjet në Kosovë e rreth saj prej më se një shekulli. Ndërkohë që në asnjë rast tjetër, kur vende të ndryshme kanë shpallur pavarësinë e tyre nuk ka pasur kaq shumë argumente pro, sa në rastin e Kosovës. Por pavarësisht opinionit të GJND Serbia ka shpallur se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ky qëndrim absurd i Beogradit zhvleftëson vetë padinë e tij në Hagë si dhe përpjekjet që ai ka bërë për ta sabotuar njohjen ndërkombëtare të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës. Sido që të veprojë qeveria serbe, në rastin e një opinioni pozitiv të GJND për pavarësinë e Kosovës, kjo qeveri do të vihet nën presion të drejtpërdrejtë nga organizmat ndërkombëtare, ndërkohë që shumë vende do të ndërmarrin hapin e njohjes formale të kësaj pavarësie. Prandaj dhe vendimi këshillimdhënës i GJND-së do të ketë efekte të mëdha në ardhmërinë e Kosovës si dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon.