E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta në Durrës Rama: "Në janar, protestat edhe më të fuqishme se më 20 nëntor"

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Durrësi i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të hapë kutitë ose të largohet, pasi pushteti nuk është pronë e tij dhe e familjes së tij. Gjatë protestës së radhës, të organizuar dje në qytetin bregdetar, kreu i selisë rozë ka kërkuar gjithashtu nga Kryeministri që të shkojë në gjykatë dhe të përballet me paditë e ngritura kundër tij. Rama ka kundërshtuar më tej dhe deklaratat e Berishës kundër mafies, ndërsa ka pohuar se realisht ajo është luftë kundër pushtetit të sipërmarrësve, që me fuqinë e tyre shqetësojnë Kryeministrin. Ai paralajmëroi më tej se në janar opozita, e cila është më e bashkuar se kurrë, do të rikthehet edhe më fuqishëm në rrugë për të protestuar kundër politikave të kësaj qeverie, të cilat do të rëndojnë edhe më tej xhepin e shqiptarëve.

Deklarata

“Fatura mujore e familjes shqiptare do të rritet në janar me çmimin e ri të energjisë, si fillim ky çmim bën zero rritjen e rrogave dhe pensioneve të këtij viti. Bizneset e vogla familjare kanosen nga 1 janari me TVSH dhe tatim fitimi, falimentim i sigurt për shumicën, rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Punësimi zero, papunësia dhe varfëria do të vazhdojnë të rriten dorë për dore. Të papërballueshme vizitat në spitale, për 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, të cilët prej dy muajsh duhet të paguajnë cash 4-5 herë më shumë. Të papërballueshme edhe kostot e arsimimit të fëmijëve për familjet e varfra”, - rendit Rama problemet në vend, të cilat, sipas tij, do të bëhen edhe më të rënda me fillimin e vitit tjetër. Në këtë situatë të rëndë ekonomike, sipas tij, vendi drejtohet nga një qeveri pa legjitimitet, që përmes parasë së zezë, synon të përjetësojë sundimin e vet mbi një Shqipëri të dërrmuar nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna dhe korrupsioni. Rama ka ironizuar dhe mitingun e 8 Dhjetorit, ndërsa ka pohuar se ky është një pushtet që i fut njerëzit si kope nëpër autobusë e nëpër trena, për ti mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të treguar se tanët janë më shumë se të armikut”. Sipas tij, edhe këto mitingje që organizohen me paratë e taksave bëhen kundër opozitës. “Ne jemi sot këtu për një betejë që vazhdon. Ne do ta kërkojmë me forcë në çdo shesh e në çdo rrugë të Shqipërisë largimin e Sali Berishës, përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë rrugët e punësimit, rrugët e zhvillimit, rrugën e mirëqenies së shqiptarëve mbyllen përditë”, - tha ai. Rama pohoi se mesazhi për Berishën është hap kutitë ose largohu. Ai siguroi se PS do të jetë përkrah çdo shqiptari që i mohohet puna, mirëqenia, përkrah çdo biznesi dhe sipërmarrësi, të cilëve Berisha u ka borxhe të mëdha. “Sali Berisha ka dhënë kushtrime lufte, që paturpësisht, e quan luftë kundër mafies, por që në fakt është lufta mafioze e pushtetit të tij kundër sipërmarrësve që me paaftësinë e tyre mediatike apo ekonomike e shqetësojnë pushtetin politik dhe ekonomik të familjes së tij”, - tha ai. Ai siguroi se vitin tjetër protestat do të vijojnë edhe më të fuqishme. “Protesta jonë do të bëhet pronë e çdo shqiptari që nuk e duron dot më këtë shfaqje bajate llafesh për integrim dhe veprash për diskriminim, kudo në çdo qytet dhe në kryeqytet, pa dyshim, e ndarë në qindra pjesë e pjesëza kështu si sot, por edhe e bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pas Vitit të Ri do të rikthehemi më të shumtë dhe këmbëngulës se sa më 20 nëntor”, - pohoi Rama. Kryesocialisti kritikoi dhe deklaratat e Berishës, i cili, sipas tij, e ka njollosur opozitën duke e quajtur sinonim të mafies. “Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafia në vitin 2009, në mes të Evropës. Nuk mund të përdorësh pushtetin për të vërsulur shtetin kundër opozitës”, - tha ai. Rama ka shtuar se nuk e ka fajin opozita që 26 viktimat e Gërdecit kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindra milionat e eurove të popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur në Kalimash dhe që kërkojnë drejtësi. Nga Durrësi protestat do të vijojnë sot në Berat më tej në Shkodër, Korçë, Fier e Vlorë për tu mbyllur më 21 dhjetor.

Ky lajm është publikuar: 15/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›