PD mban Kuvendin e fitores, Berisha rimandatohet për një mandat tjetër 4-vjeçar

Partia më e madhe e së djathtës mban sot Kuvendin e saj të 9-të Kombëtar. Diskutohen sfidat e qeverisjes gjatë mandatit të dytë në pushtet dhe do zgjidhen 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar nga një listë prej 400 kandidatësh
Partia Demokratike organizon sot Kuvendin Kombëtar, për të analizuar sfidat e ardhshme gjatë qeverisjes në mandatin e dytë dhe njëherazi zgjedhjen e drejtuesve të rinj në strukturat e saj. Kryeministri Sali Berisha do të kandidojë për t’u rikonfirmuar në krye të PD, ndërkohë që mësohet se pranë komisionit që organizon Kongresin nuk ka paraqitur dokumentacionin asnjë kandidaturë alternative.
Plot 1260 delegatë dhe delegate demokrate nga e gjithë Shqipëria do të votojnë për të zgjedhur kreun e partisë së tyre, pozicion ky që pritet të rikonfirmojë liderin historik të kësaj partie, kryetarin aktual dhe kryeministrin e vendit Sali Berisha.
Fillimisht nisjen e punimeve të këtij kongresi pune do ta hapë nënkryetari i partisë Astrit Patozi, i cili kryeson gjithashtu edhe komisionin për procedurat operacionale dhe elektorale, komision përgjegjës për përzgjedhjen e delegatëve. Në fjalën e tij Patozi pritet që të shpjegojë edhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. Më pas fjalën do ta marrë Sekretari i Përgjithshëm i partisë Ridvan Bode, i cili është përgjegjës për komisionin e ndryshimeve statusore. Ridvan Bode do të prezantojë të gjithë kërkesat dhe propozimet që kanë ardhur të cilat do të hidhen në votim. Kjo është për sa i përket fazës së parë, më tej do të nisë një analizë e hollësishme e zgjedhjeve të 28 qershorit, për të cilat pritet që kryeministri Sali Berisha të mbajë një fjalë të gjatë.
Pas kësaj fillon votimi për anëtarët e këshillit kombëtare ku nga 400 kandidatë do të fitojnë këtë status 100 të tillë. Pritet që shpallja e rezultateve të vonojë deri në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme, për vetë specifikën në të cilën do të zhvillohet procesi i votimit, pasi lista e kandidatëve për këshill kombëtar duket jo pak por plot 400 të tillë.