E Diel, 1 Nëntor 2026

Patriarku serb Pavle, mijëra njerëz në varrimin e tij në Beograd

Turma njerëzish nga Serbia dhe nga vendet fqinje janë dyndur në Beograd të enjten për të marrë pjesë në ceremoninë që zhvillohet për të nderuar patriarkun e kishës ortodokse serbe, Pavle. Shumë prej tyre e çmojnë atë për rolin që ai ka dhënë në mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë dhe për ringjalljen e besimit pas dekadave të sundimit komunist. Pavle, një teolog i respektuar dhe gjuhëtar i zoti, u caktua në postin e Patriarkut, në dhjetor të 1990, vetëm pak përpara kolapsit të ish republikës së Jugosllavisë. Ai u nda nga jeta të dielën, në datën 15 nëntor në moshën 95 vjeçare. Policia serbe vlerëson se rreth gjysmë milionë njerëz do të marrin pjesë ne homazhet për nder të patriarkut, në shërbesat përkujtimore që zhvillohen në tempullin Shën Sava në qendër të Beogradit. Në këtë ambient do të kryhen edhe ritet funerale, për të vijuar me rrugën që të çon në manastirin Rakovica, që do të jetë edhe vendi ku do të prehet patriarku Pavle. Për të nderuar këtë personazh kaq të rëndësishëm për besimtarët ortodoksë e për të kryer homazhe për të, njerëzit kanë pritur me orë të tëra për të hyrë në brendësi të tempullit. Patriarku Ekumenik Bartolomeu, klerikë të lartë nga Rusia, nga Republika Çeke, nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera, përfshirë edhe të dërguarin e Papa Benediktit të 16-të, kardinali Angelo Sodano, pritet gjithashtu të marrin pjesë në ceremoninë mortore të patriarkut Pavel.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›