BE, mblidhen udhëheqësit për të zgjedhur Presidentin
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel për të zgjedhur krerët e rinj të organizatës para hyrjes në fuqi më 1 dhjetor të Traktatit të Lisbonës. Por detyra e gjetjes së personave që do të zënë vendet e presidentit të parë të përhershëm të BE-së, dhe postit tjetër të fuqishëm të përfaqësuesit të politikave të jashtme duket se është e vështirë. Udhëheqësit europianë duhet të marrin në konsideretë shumë kritere: A duhet të jenë ata njerëz të fuqishëm e karizmatikë, apo thjesht krye-figura të BE-së, duhet të vijnë nga vendet e vogla apo të mëdha, duhet të përfaqësojnë krahun konservator apo të majtë, duhet të jenë meshkuj apo femra? Megjithatë një gjë është e sigurt, ata duhet të dalin me një rezultat unanim pas takimit, sepse nëse nuk e bëjnë këtë, sipas BBC-së, mesazhi do të ishte "katastrofik". Por cilët janë disa nga emrat që qarkullojnë në Bruksel si kandidatë të mundshëm? Javët e fundit është folur për ish-kryeministrin britanik Tony Blair, por tani, megjithëse ai ka mbështetjen e plotë të qeverisë britanike dhe pasardhësit të tij Gordon Brown, shumë pak udhëheqës të tjerë do të donin të kishin një person kaq karizmatik, por edhe kaq ndarës sa Tony Blair si kreu i BE-së. Ka disa mundësi të tjera, si kryeministri belg Herman Van Rompuy, që është e kundërta e zotit Blair, kryeministri holandez Jan-Peter Balkenende, apo kancelari austriak Volfgang Schusel, apo disa që kanë paraqitur veten e tyre si kandidatura të mundshme si ish-presidentja letoneze Vaira Vike-Fraiberga, apo presidenti estonez Toomas Ilves.