Gazi i lëngshëm, rrezik serioz

Rreth 80 pika të shitjes me pakicë të gazit të lëngshëm, 23 prej të cilave në Kryeqytet, morën ditët e fundit një letër nga Inspektoriati Qendror Teknik, ku paralajmërohesin për bllokimin e tyre nëse nuk eleminojnë rreziqet ndaj të cilave ato kanë ekspozuar qytetarët. Kryesisht bëhet fjalë për pika të furnizimit me gaz të lëngshëm të cilat punojnë në kushte fare primitive të sigurisë teknike. Mbushja dhe shitja e bombulave të gazit në ambiente të pasigurta dhe në një kohë kur temperaturat janë të larta akoma nuk po ndërgjegjësojnë subjektet tregtuese, mbi rrezikshmërinë që ato përcjellin për te konsumatorët. Të cilësuara si “rrezik serioz” janë rreth 80 pika të shitjes me pakicë së gazit të lëngshëm në të gjithë vendin, të cilat kanë marrë vendimin për pezullim nga Inspektoriati Qendror Teknik. Vendimi për mbylljen e tyre është marrë pas kontrollit të ushtruar nga inspektorët, ku ka rezultuar se gazi i lëngshëm shitej në mungesë së kushteve të sigurisë. Pikat e rrezikshme të shitjes së gazit të lëngshëm janë të ngritura në qytetet kryesore të vendit, ku 23 prej tyre funksionojnë në Tiranë, 28 subjekte tregtuese në Vlorë, 22 subjekte në Fier dhe 15 subjekte në Elbasan. Po ashtu shqetësimi mbi kontrollin e këtij tregu është ngritur dhe nga presidenti i republikës Bamir Topi, ku një letër që ai i ka dërguar Inspektoriatit Qendror Teknik ka kërkuar të merren masa për kontrollin e situatës të shitjes së gazit të lëngshëm dhe karburanteve. Po nga ana tjetër inspektorët kanë identifikuar se bombulat e gazit shiten edhe në dyqanet e produkteve ushqimore, të cilët përbëjnë rrezik për konsumatorët. Kryetari i Inspektoriatit Teknik ilir Kurti tha për gazetën “Korrieri” se kontrolli në subjektet e shitjes së gazit ka nisur prej disa muajsh. Sipas Kurtit nga mbikëqyrja e tregut ka rezultuar se deri tani janë rreth 80 pika të mbushjes dhe shitjes së gazit në vend të cilat është provuar se paraqesin rrezik. “Në kontrollin e ushtruar ka rezultuar se në pika të shitjes me pakicë subjektet tregtojnë gazin e lëngshëm në mungesë të kushteve të sigurisë së përgjithshme. Për 80 raste nga ana jonë është marrë vendimi për pezullimin e tyre dhe ju është paraqitur me shkrim kërkesa pranë organeve të pushtetit vendor për ekzekutimin e këtij vendimi”, tha Kurti duke shtuar se kontrolli i rregullave teknike mbi vlerësimin e konformitetit të pajisjeve të gazit nuk do të ndalet. Rreziku i pikave të shitjes së gazit është mjaft i lartë , ku sipas Inspektoriatit Qendror Teknik niveli i teknologjisë që përdoret për mbushjen e gazit shkon deri në rrethana artizanale. Shqetësim në këtë periudhë përbëjnë edhe shitja e bomblave të gazit në dyqanet e produkteve ushqimore. Pavarësisht se legjislacioni shqiptar parashikon që vetë tregtuesit duhet të jenë në djeni të rrezikut që mbart shitja e produkteve të tyre dhe të vihen në djeni organet kontrolluese në mënyrë që të shmangien rreziqet kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë. Rast konkret i papërgjegjshmërisë së vetë tregtuesve është shpërthimi i një bomble gazi të ndodhur pak ditë më parë në një dyqan ushqimor në qytetin e Vlorës. Sipas kryetarit të Inspektoriatit Ilir Kurti aksidenti është pasojë e aktivitetit të paligjshme , pasi ndalohet me ligj mbushja e bomlave në dyqane. “Kur prodhuesit dhe shpërndarësit dinë në bazës të nivelit profesional se një produkt për konsumatorin që nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë së përgjithshme dhe paraqet rrezik për konsumatorët, ata venë në djeni menjëherë strukturat përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut”, thuhet shprehimisht në nenin 6 detyrime të tjera për sigurinë e produkteve për konsumatorët në ligjin “Për sigurinë e përgjithshme dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”. Sakaq nga ana e Inspektoriatit është vënë në dispozicion për denoncimet e vetë konsumatorëve një numër jeshil pa pagesë ku ato mund të na informojnë për ato raste kur në pikat e shitjes së gazit kanë pasur probleme. Në ato raste kur ankesat konsumatorëve janë të vërteta inspektorët kontrollojnë brenda një ore pikën e karburantit dhe në rast se vërtetohet abuzime, atëherë kjo pikë shitje me pakicë gazi sekuestrohet apo vendoset gjoba.
Rrjeti i tregtimit të gazit në rrezik
Kryetari i Inspektoriatit Qendror teknik Ilir Kurti tha, se nga mbikëqyrja e tregut ka rezultuar se janë rreth 80 pika të mbushjes dhe shitjes së gazit në vend në të cilat është provuar se paraqesin rrezik. Për të gjitha rastet është marrë vendimi për pezullimin e tyre dhe ju është paraqitur me shkrim kërkesa pranë organeve të pushtetit vendor për ekzekutim.
Në Tiranë 23 pika shitje, pa siguri teknike
Pas gjurmimit të inspektorëve tashmë janë identifikuar dhe pikat e rrezikshme të shitjes së gazit të lëngshëm. Ato janë të ngritura në qytetet kryesore të vendit, ku 23 prej tyre funksionojnë në Tiranë, 28 subjekte tregtuese në Vlorë, 22 subjekte në Fier dhe 15 subjekte në Elbasan. Nga parashikimet e Inspektoriatit mund të rezultojë që mesatarja e pikave të rrezikshme të shitjes së gazit në qytetet e tjera shkon deri në 15.
Bombulat shqetësojnë edhe presidentin
Shqetësimi mbi rrezikshmërinë e mbushjes dhe tregtimit të gazit të lëngshme është ngritur dhe nga presidenti i republikës Bamir Topi. Në një letër që ai i ka dërguar Inspektoriatit Qendror Teknik ka kërkuar të merren masa për kontrollin e situatës të shitjes së gazit të lëngshëm dhe karburanteve.