Gazi rus si mjet i pastër për presion politik
Një krahasim i çmimeve të gazit në Europë dëshmon se pretendimet e Gazprom-it për çmime të unifikuara botërore në furnzimin e klientëve të tij, realisht nuk ekzistojnë
Në zënkën mes Rusisë dhe Ukrainës, Moska këmbëngul gjithnjë e më shumë se ajo deri më tani e ka favorizuar Ukrainën në çmimin e gazit. Ai, sipas Rusisë qëndronte në kufinjtë e gjysmës së çmimit që ajo aplikonte për pjesën tjetër të botës. Ukraina ndërkohë është e gatshme të paguajë me “çmimet botërore” – „por vetëm se jo në këtë moment“, njoftuan së fundmi mediat vendase e më gjerë ndërsa citonin një këshilltar të presidentit ukrainas për çështjet e energjisë. Një krahasim me çmimet e gazit që vendet tjera të Europës i paguajnë Gazprom-it rus tregon se: çmimet dhe aplikimi i tyre në mënyrë selektive tashmë është kthyer në një politikë të pastër për Rusinë. Dhe se në fakt, një çmim i ashtuquajtur nga Rusia si “botëror”, realisht nuk ekziston fare. Kështu, në përgjithësi për ta konkretizuar këët që sapo thamë: për tri vendet balltike që ndodhen më pranë ndikimit apo varësisë energjitike nga Moska; Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë mund të thuhet se varësia e tyre nga Rusia në furnizmin me me gaz është në masën maksimale. Çmimet për gazin rus vitet e fundit janë rritur ndjeshëm. Problemi me çmimet pra në zonën e Balltikut është mëse i njohur e i pranuar. Kështu që qytetarët e këtyre vendeve tashmë po mësohen me aplikimin e çmimeve si të ishin klientë perëndimorë, pa përfituar “kushte speciale” favorizuese krahasuar me vendet e tjera të BE-së. Estonia, Letonia dhe Lituania tek e fudnit nuk kanqë qenë as kurrë anëtarë të Bashkësisë së Vendeve të Pavarura dhe në momentin e parë që mundën, i prenë të gjitha lidhjet politike e varësinë nga Moska.
Frika, pikësëpari tashmë drejtohet në faktin se Rusia në inatin politik e sipër që e ka zënë me rastin e “betejës së nervave” për furnizimin me gaz për me BE-në e Ukrainën (madje nga kjo, siç dihet, së fundmi nuk bëri përjashtim as Serbia, aleati i saj i preferuar në Ballkan) mund të mbyllë fare furnizimin edhe për këta shtete të vegjël fqinjë. Në fakt, deri më tani, një stopim i furnizimit me gaz nga Rusia për ta nuk është konstatuar ende. Por linja të ndryshme të furnizmit janë bllokuar herë pas here përkohësisht – e aty për shembull është sjellë si justifikim nevoja për riparime në territorin rus të gazsjellësit. Kjo, merret me mend se bëhet në mënyrë që varësia nga Rusia pastaj të diktohet e plotë, pasi në rast dyshimi e inkoherence politike, Moska të ishte e gatshme ta ndërpriste atë sa herë i duhej. Për këtë arsye, edhe ndërtimi i gazsjellësit lindor tek ta shkakton reagime inatçore: nëpërmjet tij, për gazin rus një transport në drejtim të Europës Perëndimore duke i shmangur balltikasit shton frikën se Rusia do të bëhet kësisoj edhe më e pavaruar dhe më e pakontrolluar.
E diskutueshme është edhe çështja nëse në të ardhmen
ato do të ndërtojnë centrale që operojnë me gaz – sidomos në Letoni apo në Lituani ka plane në letër për një gjë të tillë. Centrali bërthamor “Ignalina” në Lituani do të funksionojë deri në fund të këtij viti dhe për këtë, atij i duhet të shfrytëzojë gazin rus. Në dy vendet e tjera balltike ndërkohë mbizotërojnë rrethana të ngjashme; kjo do të thotë se “E.ON Ruhrgas” dhe “Gazprom” kontrollojnë ndërmarrjet më të mëdha të prodhimit e transportit të gazit natyror.
Përpjekje për dalje nga monopoli rus
Ndërkohë, prej vitesh, Azerbajxhani duket se po lufton kundër hegjemonisë së gjigantit energjitik rus të Gazprom-it dhe po përpiqet me mbështetjen e Perëndimit të ndërtojë një strategji të vetën kundër kësaj situate monopol. Për këtë, mbi të gjitha ai po përpiqet të shfrytëzojë rezervat në gaz që mbajnë brigjet e Kaspikut, por edhe furnizimin me gaz turkmen nëpërmjet gazsjellësit “Baku-Tbilisi-Erzurum”. Furnizimin e pavarur nga Rusia të gazit natyror e mundëson nga ana tjetër edhe ndërtimi tashmë i parashpallur e i shumëlakuar i gazsjellësit “Nabuço” nga Turqia drejt Euroëps. Për shkak të rezistencës së fortë të Rusisë, këto plane duken sot si jorealiste. Përkundrazi: në kohët e fundit, Moska po shfaqet me iniciativën e saj, për të marrë në kontroll të plotë edhe gazin azerbajxhanas.
Debati mes Rusisë e Ukrainës për gazin rus po e kthen tashmë vëmendjen botërore dalëngadalë edhe mbi Azerbajxhanin dhe Turkmenistanin, të cilët sëbashku përbëjnë një alternativë ndaj monopolit rus të gazit për vendet e Europës Lindore e Perëndimore. Por, sigurisht se realizimi i projektit europiano-perëndimor për gazsjellësin “Nabucco” duket ende i pamundur. Arsyeja e parë është se projekti i ri rus „South-Stream“, synon zëvendësimin e “Nabucco”-s. Pozicioni i lëkundur i Turkmenistanit po luan në këtë mes një rol negativ. Kjo pasi “Nabucco” mund të ishte rentabël vetëm nëse gazi turkmen do të transportohej drejt Europës nëpërmjet gasjellësit nënujor që do kalonte në Detin Kaspik, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Turqinë. Përndryshe pra, nëse do të rridhte në të vetëm gaz azerbajxhanas, atëherë “Nabucco” nuk do ia vlente më të ekzistonte.
Për të penguar “Nabucco”-n, Moska gjatë javëve të shkuara ndërmori shumë hapa. Kështu, tashmë përveç projektit “South Stream“, ekziston edhe projekti tjetër për gazsjellësin në Kaspik, i cili është parashikuar në një marrëveshje të nënshkruar mes Rusisë, Kazakistanit dhe Turkmenistanit qysh në vitin 2007. Synimi është të kontrollohet gazi turkmen. Monopoli rus i gazit është shumë i fortë, sidomos në Turkmenistan, ku ekziston vetëm një gazsjellës i vjetër i kohës së Bashkimit Sovjetik. Gazsjellësi Kaspik do të zëvendësonte kësisoj linjën e vjetër e të amortizuar ish-sovjetike, për të sjellë më shumë gaz turkmen drejt Rusisë e më tej, nga territori i Kazakistanit.
Hapi më i ri i Gazprom-it në drejtim të monopolizimit total të situatës së furnizmit me gaz në hapësirën postsovjetike janë tratativat me qeverinë azere. Qysh në vitin e shkuar, Gazprom-i nisi të bënte bisedime me regjimin në Baku (kryeqytet i Azerbajxhanit). Propozimi i Gazprom-it me këtë rast ishte surprizues: Superkoncerni energjitik rus donte ta blinte gazin azer me të njejtin cmim që ai ia shiste klientëve të vet në Europë. Aktualisht, Moska e blen gazin që merr nga vendet postsovjetike të Azisë Qendrore shumë më lirë e më pas ia shet Europës me çmime të ngritura, duke nxjerrë përfitime të ndjeshme. Tratativat në fakt akoma nuk kanë mbaruar dhe deri më tani mediat vendase njoftojnë se nuk është akoma e qartë nëse Azerbajxhani me të vërtetë do t’ ia shesë gazin e vet Gazprom-it. Kjo, më pas do të përbënte një rrezik potent edhe për gazsjellësin “Baku-Tbilisi-Erzurum”. Moska kësisoj do të mund të rriste presionin politik e atë ekonomik ndaj Kievit e Tbilisit “rebel”, dhe gjithashtu edhe ndaj vendeve të BE-së. Ndërkohë po dëshmohet se Azerbajxhani është i interesuar ndaj projektit “Nabucco” më shumë se sa ndaj një bashkëpunimi me Rusinë: Kjo do t’ i sillte vendit të vogël kaukazian, jo vetëm më shumë përfitim ekonomik, por edhe dividentë edhe më të fortë politikë e mbështetje strategjike për objektivat e tij drejt BE-së. Qeveria në Baku do mund të niste transportin ndaj Rusisë të gazit të vet, vetëm nëse Perëndimi do të hiqte dorë fare nga projekti “Nabucco”. E shumëçka në këtë mes varet edhe nga Turkmenistani, i cili ka dëshmuar se përtej autoritarizmit me nota të forta nacionaliste që ka kaluar e kalon, mbetet një vasal shumë i vlefshëm për Moskën.