E Shtunë, 31 Tetor 2026

A mund të shkatërrohen dosjet me iniciativë?

Meditimet e një të djathti

Për çështjen e dosjeve është folur shumë.
Por përsiatja ime e sotme ka të bëjë me një debat televiziv të hershëm. Në anën e atyre që i kishin vënë vetes për detyrë që t’i hidhnin ujë me bollëk verës, ishin Fatos Klosi, ish-kryetar i SHIK-ut gjatë kohës së tetëvjeçarit të dështuar të qeverisjes socialiste, si edhe  Isaraj. Një dëgjues i vëmendshëm i këtij debati, do të kishte kuptuar menjëherë që të dy personat me emrat që përmendëm, duket se kishin përvetësuar më së miri atë veprën e Shekspirit, “Shumë zhurmë për asgjë”. Në dukje, ishin për “shqyrtimin e dosjeve”. Veçse kishin një shqetësim, që të dy: që të mos abuzohej në këtë shqyrtim dhe të shfrytëzohej kjo punë për prioritete politike!
Natyrisht, nuk mund të thoshin se ishin kundër hapjes së dosjeve. Sepse ne, shqiptarët, ishim thuajse të fundit fare në këtë detyrë. Pra, ishte një detyrim, në fund të fundit, i kërkuar nga Asambleja Parlamentare e KE-së. Veçse të mundësohej edhe njëherë ajo shprehja e një personazhi të dëgjuar të një vepre dramatike: - “Fjalë, fjalë, Imzot!”. Domethënë, të diskutohej çështja gjerë e gjatë, por përfundimi të mbetej te diskutimi, jo te produkti i tij. Me fjalë të tjera, që të dy ata të anës së majtë të panelit kishin përvojën e viteve të tëra të kaluara në asgjë: Fjalë, fjalë: dhe asgjë! Kështu përfundoi puna edhe për gjenocidin komunist në Shqipëri. U nxorën edhe përkufizimet e stërhollimet e termit gjenocid  (në të vërtetë ky ishte termi i saktë drejtshkrimor), por ky paska pasur vend vetëm për arsye racore dhe disa arsye të tjera, por jo për arsye politike. . .Nga kjo kuptohet se kemi pasur vetëm gjenocid nazist, por jo komunist!
Tani, në rastin konkret, nuk u dashka cenuar sistemi juridik për shmangien e disa të implikuarve në një dhunë vetjake, gjer në mbetjen e të pandehurve në dorë, domethënë nën torturë.  Në këto raste  ishin tejkaluar edhe ligjet hipokrite të kohës. Zelli i madh kundër “armikut të klasës”, nga ana e mjaft të  indoktrinuarve fanatikë, kishte arritur kufijtë e sadizmit gjer në shkallën që i kishin bërë shumë të torturua nën hetim, që të shpëtonin nga ai kalvar i padurureshëm dhe të firmosnin në të bardhë, mjaft që të shpëtonin nga ata hetues, nga ata operativë, nga ata gjyqtarë, nga ata prokurorë  që kërkonin në mënyrën më barbare të dënonin doemos njerëz të pafajshëm. Enver Hoxha e dinte më mirë se kushdo që tortura ishte sistem i përditshëm i hetuesive tona (pavarësisht nga ato hilet “se mos ishte torturuar Syrja Selfo!”). Atij iu gjet dokumenti me firmën e tij që Llazar Fundo të torturohej para se të ekzekutohej! Kjo e bëri Fan Nolin të hiqte çdo iluzion për opinionet e tij fillestare ndaj komunizmit barbar enverist.
Pra, ata që po bëhen të njohur, veçanërisht në këto ditë kur lustracioni është bërë i pashmangshëm më tej, nuk mund të jenë pjesë e sistemit gjyqësor apo të prokurorisë sot, pasi e kishin pasë ndihmuar diktaturën komuniste, që të derdhte atë lumë gjaku , me anë të veglave të tij më mizore dhe më të pashpirt.
Është thënë se ky kontingjent njerëzish me të shkuar kriminale, sigurimsash të zellshëm, hetuesish, gjyqtarësh e prokurorësh,  të etur për t’u shtuar edhe zellin e tyre të mallkuar prirjeve të diktaturës për të terrorizuar popullin me anë të luftës në skaj të klasave, -kjo kastë famëkeqe, pra, - nuk u seleksionua nga e majta jonë. I duhej kësaj farë të majte si element force!
Kjo ruajtje e këtij kontingjenti është jetësore për të majtën tonë. Prandaj një pjesë dosjesh janë zhdukur nga defteri, në synim të këtij qëllimi. Madje Fatos Klosi, në debatin që cekëm që në fillim, nuk e mohoi asfare këtë “zhdukje” dosjesh, të quajtur “eliminim i dosjeve të bëra të panevojshme”. Dhe këtu vijmë në thelbin e këtij shkrimi: A zhduken dosje të tilla pa asnjë vendim?
Kësaj pyetjeje i dha përgjigje Fatos Klosi. Madje me një shpërfillje acaruese dhe me një azganllëk thuajse tallës: - “Po, unë kam zhdukur dosjet e panevojshme!”.
-Cilat quani “të panevojshme”? – qé pyetja pasardhëse.
-Por ja, për shembull, ato që kishin të bënin me luftën e klasave, që s’ka vend tani, në demokraci, kur nuk kemi luftë klasash...
Kjo është përgjigjja që meriton komentin e shkrimit të tanishëm. Vetëm se këtë do ta lëmë pas vazhdimit të debatit në atë tryezë:
-Ne e dimë se nuk  ka ndonjë ligj për shkatërrimin e dosjeve – ishte një pyetje, në vazhdim, për  Klosin.
-Kishte një ligj të tillë, në kohën e diktaturës. Por pse, me ligjet e diktaturës do të shkojmë ne?- qé përgjigjja, tërë “shpirt demokratik”, kinse kundërvënëse ndaj ligjeve të diktaturës!
Tani, komenti ynë, për t’i dhënë fund këtij shkrimi:
Mospasja e një ligji nuk do të thotë të veprohet me iniciativë, për probleme kaq të rëndësishme. Por Klosi e quajti problemin të parëndësishëm. Arsyetimi se sot nuk kemi luftë klasash është i pamjaftueshëm. Por të zhduket dosja me këtë motiv është një absurditet. Sepse në atë kohë, për një fjalë goje bëheshin abuzimet më të mëdha, për të shpallur të pafajshmin fajtor. Në këto raste, sidomos, është treguar shpirtmizoria e hetuesve, gjyqtarëve, prokurorëve, për të marrë pohime të pavërteta përmes dhunës. Pra, kjo çështje e shkatërrimit të dosjeve, kërkonte nga Klosi edhe një autorizim nga më lart, gjer te kryeministri i tetevjeçarit të qeverisjes më rrënimtare të tranzicionit tonë, për të marrë një përgjegjësi të tillë, të shkatërrimit të dosjeve. Që të mos i lihej vend interpretimit “se sot s’kemi luftë klasash”, të Fatos Klosit.
Në të vërtetë kjo është një luftë klasash e kamufluar, z. Klosi! Gjithmonë sipas mendësisë nostalgjike...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›