E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit - procesi që na afron me Europën

Ndërkohë që situata atmosferike e ky dimër i ashpër diktojnë një ndjenjë solidariteti me të gjithë shqiptarët dhe me përpjekjet e qeverisë së tyre ngado që janë, gjithsesi edhe problemet e tjera të bëjnë që detyrimi moral e qytetar të të ngacmojë vetvetiu. E kam fjalën për debatin më të ri mbi pajisjen e shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit, i cili ka bërë që paralelisht me prononcimin zyrtar të Zëvendësministrit të Brendshëm, të shpërthejë edhe një interesim shpeshherë me nuanca negative, apo të lindë me të drejtë ndonjë pretendim apo nevoja për sqarime ndër qytetarët.
Përsa i përket vlerës që ka pajisja e shtetasve shqiptarë me këto karta, sigurisht se këtu ndajmë të njejtën pikëpamje me të gjithë ata ngado që janë; me të gjithë qytetarët apo shtetasit e këtij vendi (përfshirë edhe ata që kanë zgjedhur të punojnë e jetojnë jashtë tij) që identifikohen në grupimet më të skajshme e të ndryshme shoqërore, politike e ekonomike, por që gjithsesi kanë të drejtën të kërkojnë nga qeveria e tyre e zgjedhur demokratikisht, t’u kushtojë vëmendjen e duhur sensibiliteteve të tyre. Përtej prononcimeve zyrtare, mund të themi se shumëçka mbeti, me shumë gjasa, në disa elementë, në kufinjtë e ambiguitetit e mjegulisë informative. Kjo, jo më shumë për shkak të mosangazhimit e mungesës së përpjekjeve për informim publik korrekt e në kohë të administratës përgjegjëse shtetërore, se sa për zhurmën që shkaktojnë vetë mediat me interpretimet e tyre shpeshherë dashakeqe e  turbulluese.
Marr shkas nga një debat fare i thjeshtë, por që papritur përftoi tone të larta diskutimi, falë edhe këmbënguljes e dëshirës për të kundërshtuar me çdo kusht të një grupi miqsh të mi me pikëpamje të ndryshme politike, që avokati i të gjithë grupimeve në nevojë apo gjetja me domosdo e arsyeve se “ku çalon gomari” erdhe kur ky i fundit nuk çalon aspak, por përkundrazi, galopon, më ngjan se i është bërë ves.
Kartat e identitetit janë një domosdoshmëri për vetë kohën ku jetojmë e standardet të cilat Europa na i kërkon me kohë për anëtarësim sa më të shpejtë në bashkësinë e vendeve ku ëndërojmë të hyjmë një orë e më parë. Mos harrojmë se konsensusi politik për këtë hap është më i madhi ndër të gjithë vendet anëtare e aspirante të BE-së. Gjithashtu Shqipëria renditet tek vendet që regjistron hendekun më të vogël mes klasës politike e shtetasve të vet për anëtarësim apo përkatësi definitive në vlerat europiane. Ky fakt madje nuk duhet relativizuar aspak, sepse në fakt ka një përputhje të plotë mes klasës politike e shtetasve të saj, thuajse 100% për të kapur objektivin, dmth anëtarësimin në BE.
Si një elemement shumë i rëndësishëm i kushteve të parashtruara disa herë të gjitha qeverive shqiptare ndër vite, pajisja me karta identiteti ishte bërë me kohë imperativ i kohës e thjesht fakti se tashmë po bëhet e mundur - më  në fund - nisja e aplikimeve për to, të bën të mendosh se vërtetë, tashmë ndodhemi vetëm një hap pranë Europës. Një element tjetër, i cili na bën të ndjehemi të favorizuar, janë edhe vetë standardet shumë të larta teknologjike që ofrojnë këto karta, të cilat sigurisht se janë nga më të fundit, ndërkohë që siç dihet, teknologjia ecën me hapa shumë të shpejtë e ajo çka, për shembull, është prodhuar në Gjermani apo Itali para 5 apo gjashtë viteve, konsiderohet si e vjetër krahasuar me tonat, duke na bërë njëkohësisht të ndjehemi krenarë, ose të paktën të barabartë me ta. Një vëzhgim i shpjetë ndër vende të tjera të Europës Qendrore eLindore, anëtëre të ish-Bllokut komunist, të bën të mendosh se sërish kartat e ofruara nga qeveia shqiptare janë nga më cilësoret e më të sigurtat.
Ndryshe nga radhë të tjera, në veprimet me tenderat apo kompanitë fituese që janë kontraktuar të na pajisnin me pasaporta për jashtë shtetit, apo qoftë për procesin farsë që na u ofrua dikur në zgjedhje nga qeveria socialiste për pajisje (gjoja) me karta identiteti  që nuk patën vlerën e një gjysëm leku e as jetën e një dite, këtë radhë nuk kemi hasur asnjë kontestim, as nga kundërshtarët më të ashpër të kësaj qeverie. Kjo garanton nga njëra anë, drejtësi e nga ana tjetër, siguri absolute. Por sigurisht se kjo punë nuk mjafton me kaq. Procesi zyrtarisht nis të hënën e me shumë gjasa jo të gjithë do të mbeten të kënaqur me ecurinë e tij, apo me mënyrën se si ai do aplikohet në fillimet e veta. Por kjo s’ do të thotë se procesi në tërësinë e tij nuk është normal, me synime tejet pozitive e i ndërmarrë në një kohë vërtetë të dobishme. E kjo e fundit, duke pasur parasysh se ndodhemi në një vit elektoral e ku sensibiliteti politik i palëve të përfshira, është shumë i madh.
Ndoshta sugjerimet e aktorëve oponentë politikë të qeverisë duhen marrë parasysh, por jo të gjitha mund të zbatohen në ekstrem, pasi grupime shoqërore që duhen favorizuar për shkak të gjendjes së tyre të disfavorshme ekonomike, mund të përkrahen e do të përkrahen. Për këtë, garancinë e dha edhe Kryeministri Berisha në ditët e fundit në një media shqiptare, e në ditët në vazhdim, me siguri se ideja e tij për relativizim apo për rishikim të planeve për shlyerjen e pagesave nga shtetasit shqiptarë në sportelet e Postës Shqiptare, në lidhje me aplikimet për kartat e identitetit, do të gjejë zbatim konkret.
Paqartësitë në lidhje me procesin e pajisjes me karta që kanë të bëjnë me çmimin, dëshirën, detyrimin ligjor apo vullnetin - nënkupto rezistencën e pakuptimtë – që duan të trumbetojnë ata që pretendojë se kanë gjetur motive e arsye të mjaftueshme, të bazuara në ligj e në (gjoja) të drejtat themelore të shtetasve, për ta sabotuar atë, do marrin me siguri vetëm një përgjigje. Ashtusikurse ka marrë përsipër të ndërtojë një udhë lidhëse me vlera të padiskutueshme kombëtare e të shtrira pafundësisht në kohë, ky premtim duket se do përmbushet plotësisht e në kohën e duhur për të gjithë shtetasit shqiptarë, para se ata të shkojnë në votimet e verës së këtij viti, për të na bërë për herë të parë, të mos na vijë turp nga standardet që ofrojmë e për të mos u marrë më me gërr-mërre që lidhen me identifikimin e zgjedhësve në veçanti  e shqiptarëve në përgjithësi. Pajisja e shqiptarëve me karta identiteti, nga ana tjetër, paralajmëron një erë të re në marrëdhëniet e shqiptarëve me botën, pasi tashmë ata do ët shihen si të barabartë, duke e parë veten shumë pranë përmbushjes përfundimtare të objketivave të tyre të hershëm e madhorë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›